Rrethimi i Shkodres, The Siege of Shkodra

“Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit përkthehet për herë të parë në gjuhën angleze nga pastori ungjillor në Shqipëri David Hosaflook.
“Rrethimi i Shkodrës” (1504) i Marin Barletit i përkthyer në anglisht nga David Hosaflook (“The Siege of Shkodra”, 304 f., Onufri, 2012), promovohet sonte, ora 18.00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Libri përshkruan historinë e rrethimit osman në qytetin e fortifikuar të Shkodrës. Sipas përkthyesit Hosaflook, ky libër është i rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën sidomos marrëdhëniet midis Venedikut dhe Stambollit, për historinë e konfliktit fetar, ndër të tjera është një vepër letrare dhe estetike. “Sot anglishtfolësit mund të lexojnë për trimërinë shkodrane dhe për kurajën heroike që e mbrojti Evropën nga pushtimi turk për një dekadë pas vdekjes së Skënderbeut”, thotë përkthyesi. Versioni në anglisht është përmirësuar me shënime të reja dhe ilustrime. “Rrethimi i Shkodrës” (1962) u përkthye për herë të parë nga latinishtja në shqip nga Henrik Lacaj, autori i Fjalorit Latinisht-Shqip. Por për mbi 500 vjet, ky libër mbeti i papërkthyer në anglisht. Kështu, mjaft studiues të huaj nuk patën mundësi të gjykonin të dhënat e Barletit, priftit shkodran, i cili ka marrë pjesë personalisht në luftimet e rrethimit të dytë të Shkodrës. Për këtë janë detyruar të mbështeteshin tek vërejtjet dhe opinionet e të tjerëve (që mund të kenë lexuar origjinalin në latinisht). David Hosaflook është nënshtetas amerikan dhe pastor ungjillor në Shqipëri. Ka punuar me Fondacionin Shpresa për Botën, për 15 vite ka punuar në Shkodër me pasion për besimet e tij, për të shpërndarë fjalën e Ungjillit të Jezusit në kishën biblike.

Përse vendosët ta përktheni “Rrethimin e Shkodrës” të Marin Barletit?

Nuk e di nëse e kam vendosur unë apo e vendosi vetë libri. E gjeja librin në një trotuar të Shkodrës. Më tërhoqi kopertina e botimit e vitit ’80 me kalanë e Rozafës në kopertinë, sepse asokohe banoja në qytetin e Shkodrës. Mendoja çfarë është ky libër që flet për kalanë. E kështu vendosa ta blej për 100 lekë të reja. Më pas zbulova se sa i mirë është. Një profesor i gjuhës Nuri Goka, ish-drejtor i departamentit të Gjuhësisë në Shkodër, ma dha si detyrë të përktheja diçka në gjuhën angleze. Atëherë po punoja për të mësuar gjuhën shqipe, pasi nuk dija as fjalën rrethim, mendoja se ishte njëlloj si fjala “rreth”. Por gjatë punës po zbuloja ngjarje që nuk i dija. Zbulova se Mehmeti i dytë, “Pushtuesi” që pushtoi Kostandinopojën, kishte ardhur deri në Shkodër, por nuk mundi të fuste këmbën e tij brenda kalasë, prandaj iku me dështim. Në fund Venediku e dorëzoi Shkodrën, por Mehmeti nuk e mori me forcë. Thashë: si ka mundësi që nuk e di betejën e fundit që e udhëhoqi personalisht Mehmeti. Dhe mendova se duhet të jetë e përkthyer me patjetër në anglisht.. Pyes kudo, por nuk e gjeta të përkthyer nga asnjë. Prandaj meqenëse kisha përkthyer 25 faqe thashë përse të mos vazhdoj më tej, pak nga pak për 18 vite.

Mbi çfarë versioni jeni mbështetur?

Jam bazuar në disa versione në shqip, pavarësisht se Marlin Barleti ka shkruar dhe në latinisht në 1504-ën. Kam punuar me versionin shqip të 1967-ës dhe të vitit ’80. Ndryshimet midis këtyre versioneve nuk janë shumë të mëdha. Por kam bërë krahasime dhe me origjinalin në latinisht. Më e mira është të përkthehet një libër nga origjinali, siç ka bërë Henrik Lacaj në gjuhën shqipe, por unë nuk di mirë latinisht.

Çfarë pengesash keni hasur?

Ky libër është mbushur me emra njerëzish, me emra popujsh, me pika gjeografike, me ngjarje historike etj. Prandaj ka qenë dhe një punë kërkimore, përveçse përkthimi. Një punë studimore për të cilën kam punuar me arkeologë, me gjeografë, me gjuhëtarë etj. Kam nxjerr dhe shënime të cilat orientojnë lexuesin gjatë leximit të mëtejshëm. Në fund të librit kam shtuar treguesin apo indeksin, që versioni i parë nuk e ka. Që një studiues që ka dëshirë të mos e lexojë krejt librin, por nëse është i interesuar që a ka folë ose jo Barleti për këtë popull apo këtë vend, mund ta gjejë këtu. Pra të përdoret dhe si vegël studimore për historianët.

Barleti në hyrje të librit thotë se pothuajse nuk e mori dot përsipër sepse nuk e dinte nëse ishte i aftë për të shkruar diçka nga ana historike. Në radhë të dytë kishte frikë se mos shkruante një libër të mërzitshëm. Por kur kuptoi barrën që kishte në shpirt dhe kur kuptoi meritat e Shkodrës, nuk mund ta linte ngjarjen në heshtje. Atëherë i lindi dëshira për të paraqitur një libër me vlerë historike, por dhe estetike. Pra, në këtë histori gjen letërsi dhe histori. Prandaj vështirësia për ta kthyer në anglisht, është ajo që unë jam përpjekur ta kthej me frymën e Barletit, për të qenë i saktë nga ana historike, për të pasur një rrjedhje të bukur poetike. Prandaj pranoj dhe vërejtje, pasi të dalë në qarkullim.

Si i keni siguruar materialet grafike apo fotografike që i keni pjesë të këtij botimi?

Shumë fotografi të kalasë i kamë shkrepur vetë, sepse kam banuar në Shkodër për 15 vjet. Disa të tjera i kam marrë me leje nga të tjerët. Janë imazhet e veprave të artit të bëra nga artisti Paolo Veronese që lidhet me Rrethimin e Shkodrës etj. Gjithashtu kam përdorur hartat e vjetra ku paraqitet qyteti i Shkodrës. Fatkeqësisht nuk e kemi zbuluar në hartat shkodrane të kësaj periudhe, pavarësisht kërkimit të Lucia Nadin-it. Në bashkëpunim me arkeologun Ardit Miti dhe një hartograf gjerman, kemi bërë disa harta të reja të asaj kohe, për shembull harta e Rrethimit e bazuar në të dhënat arkeologjike dhe në të dhënat që jep Barleti, vendndodhja e lumenjve, e topave osmanë, e kishave etj. Por këto harta mbajnë shënimin e vitit 2012 dhe që nuk duhet të merren si harta autoritare të asaj kohe, por lexuesi kur lexon, për shembull, për topin e madh që hidhte gjyle me 392 kg., do të mund ta shikojë për të krijuar një përshtypje e të thotë, o këtu ishte ai.

Përmendët studiuesen Lucia Nadin, me cilët autorë të tjerë keni bashkëpunuar?

Kam fatin të kem punuar me shumë njerëz. Meqenëse nuk jam historian i mirëfilltë kisha nevojë patjetër të kërkoja ndihmën e tyre. Prandaj kam kërkuar ndihmën e Lucia Nadinit, David Abulafia-s, Vili Kamsit dhe Robert Elsie-t, por dhe me shqiptarë si historianin Ferit Duka, Gazmend Shpuzën, arkeologun si Ardit Miti dhe Zamir Tafilicën, me gjuhëtarët si Xhevat Lloshi në Tiranë dhe Teuta Toska në Elbasan etj.

Mendoni një lexues specifik të “Rrethimit të Shkodrës” në gjuhën angleze?

Versioni në anglisht është bërë për shqiptarë anglishtfolës që jetojnë jashtë dhe nuk dinë shqip, për studiues të periudhës osmane që kanë dëgjuar dy llafe për këtë histori, por që nuk kanë burime parësore.

Ju vetë jeni pastor që keni përkthyer një libër i cili nga ana historike merret me një pikë kthese në historinë tonë të mesjetës: konvertimi i fesë. Si e shikoni kalimin e popullsisë së Shkodrës nga katolike në myslimane?

Barleti tregon vetë që shkodranët ishin katolikë, por osmanët i kthyen në myslimanë. Libri ka dhe kronikat osmane. Ata tregojnë pikëpamjet e tyre dhe përdorin një gjuhë fetare. Pasi Barleti është prift katolik, prandaj mendoj se kjo është pjesa e historisë prej së cilës shpresojmë të kuptojmë. Unë si pastor ungjillor nuk jam as katolik, as mysliman, prandaj ka raste që kam përkthyer diçka nga osmanët dhe nuk jam dakord me të, apo diçka që shkruan Barleti dhe nuk jam dakord me të. Kjo është preferencë teologjike personale, e një besimi personal.

Kush është Marin Barleti për ju?

Marin Barleti është një historian, një autor, një shkodran, një prift që ka përcjellë një burim parësor, për historinë e krejt Ballkanit. Me vlerësimet që janë thënë për të nga shqiptarët, anglezët apo turqit në hyrje të librit e kupton më mirë këtë. Mendoj se ky libër është shumë më i mirë sesa vepra më e madhe e Barletit, Historia e Skënderbeut. Sepse Barleti ishte i pranishëm në Shkodër, është dëshmitar okular, nuk ka marrë nga të tjerët.

Dhe së fundi kush është David Hosaflook?

Jam një amerikan që kam ardhur në Shqipëri në 1992, për të ndihmuar fëmijët që ishin strehuar në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Kam punuar me fondacionin Shpresa për Botën, më pas kam punuar dhe në Shkodër për fjalën e Ungjillit të Jezusit në kishën biblike. Unë jam një pastor ungjillor, një familjar, një shqiptar-dashës dhe tani jam bërë pak historian meqenëse kam kaluar kaq kohë me Marin Barletin (qesh).


Burimi i infromacionit: Shekulli.com.al