Pagine

January 28, 2013

Luçie Gjyli - Martesa me myslimanin që i rrezikoi jetën katolikes

Luçie Gjyli, Martesa me myslimanin që i rrezikoi jetën katolikes
Në Shkodrën e viteve ’40 (dukuri që vetëm sa është zbehur, sepse nuk është zhdukur as sot), martesa e një myslimani me një katolike ishte material i mjaftueshëm që i gjithë qyteti të ziente për vite të tëra. Por ky ishte dëmi më i vogël, sepse vajza që i kundërvihej familjes mund edhe të vritej prej tyre. Rasti i Luçie Gjylit, që edhe sot kujtohet në Shkodër, është dëshmi e “luftës” mes besimeve fetare.
Në ditët e sotme, të paktën përkatësitë fetare, nuk krijojnë konflikte të ndjeshme në Shqipëri. Dikur e kanë bërë, sado që jo të një niveli vendor. Martesat mes individëve të besimeve të ndryshme fetare kanë qenë vatra konflikti për familjet respektive. Qytete të ndryshme të Shqipërisë e kanë pasur këtë “ligj” shumë të theksuar se të tjerët. Ende sot, në Shkodër, qytet me të cilin identifikohet ky lloj konflikti, martesa mes myslimanëve dhe katolikëve shihet shtrembër, shoqërohet me gjithfarë pakënaqësish e fjalësh, që vërshojnë bujshëm në qytet. Por, nëse sot indiferenca “lëri gojët të flasin ç’të duan” ka minimizuar përmasat e problemit, dikur, kryesisht femrave, u kushtonte shumë. Ky që do t’ju tregojmë është rasti tipik. Ishte viti 1938. Mbreti Zog sapo kishte kurorëzuar lidhjen e tij me Geraldinën kur Luçia u njoh me Rakip Gjylin,
emër mjaft i njohur ky në qytet si mbështetës i luftës, ashtu si të gjithë burrat e asaj kohe të familjes Gjyli, si dhe tregtar i pushtetshëm. Feja katolike e Luçias nuk e dyzoi fare Rakipin të vendoste ta merrte për grua, sikundër ndodhi edhe me të. Ama, që të bëhej pjesë e familjes së madhe myslimane, pjesëtarja e re duhej t’i përshtatej jetesës së kullës së Gjylajve, të jetonte me ritet e tyre dhe të besonte në Allah njësoj si ata. Dashuria e së bijës nuk ishte motiv që këtë vendim ta pranonte edhe familja e saj. Kështu që mundësia e vetme, duke përjashtuar çdo lloj kompromisi, ishte rrëmbimi. Martesa kishte kushtet e saj të pathëna. E reja nuk do të dilte nga shtëpia. Prindërit e saj ishin betuar, vendim që ia kishin komunikuar edhe së bijës më parë: po ta shihnin në rrugë, do ta vrisnin. Në kohën e Italisë, Ambasada Jugosllave ku punonte i ati i saj, u rrethua, çka çoi në internimin e menjëhershëm të të gjithë punonjësve. Edhe pse e mbetur e vetme në Shkodër, mamaja e Luçias, sa herë që dilte në qytet, mbante në brez një pistoletë. Në rast se përballej me të bijën, të çonte në vend premtimin e saj dhe të të shoqit. E paralajmëruar për këtë, Luçia, në ato pak herë që kalonte pragun e derës, dilte e veshur me ferexhe në mënyrë që askush të mos e njihte.

Luçie Gjyli, Martesa me myslimanin që i rrezikoi jetën katolikes
Të gjitha këto Luçia i ka treguar vetë për fëmijët, nipërit e mbesat, njëri prej të cilëve, Edmond Gjyli, na i tregon sot, duke nxjerrë edhe njëherë në pah konfliktin që duhet luftuar. “Rakipi nuk e njohu të vjehrrën për 10 vite. Derisa një ditë e kishin thirrur në Degë për ta pyetur rreth vdekjes së një fëmije që kishte hyrë të vidhte kumbulla në oborrin e saj. Fëmija kishte rënë nga pema dhe humbi jetën. E ëma e Luçies kishte shkuar të tregonte për ngjarjen dhe ishte lënë e lirë. Meqenëse Rakipi ishte në atë kohë drejtor i Degës së Brendshme në Shkodër, kishte mësuar për ngjarjen dhe kishte shkuar ta takonte”, tregon Mondi. Ky ishte momenti i parë pas 10 viteve që Luçia bashkë me të shoqin dhe djalin e porsalindur, Davidin, shkoi të takonte të ëmën. Momenti i parë ishte shokues për të dyja palët, por vitet e kishin zbutur peshën e zemërimit. I ati i Luçies nuk u kthye kurrë nga internimi, dhe kur e ëma i vdiq, ajo bashkë me të shoqin i bënë të gjitha ceremonitë e përcjelljes. Prej më shumë se një viti, Edmond Gjyli ka restauruar një pjesë të shtëpisë së vjetër të Gjylajve në Shkodër, të ndërtuar për herë të parë në vitet 1800 nga Bushatllinjtë. Në kujtim të gjyshërve e të atit, ajo shtëpi me gurë e dru shekullorë është kthyer në një shtëpi muze me hijen e rëndë të banorëve të dikurshëm. Në të gjithçka të kujton historinë, që nga oxhakët e punuar nga mjeshtrit hebrenj, tavanet e drunjta, abazhurët e pasqyrat e vjetra sa vetë shtëpia, e deri te sendet e vogla personale apo fotot e vjetra të Marubit, që Luçia i pati ruajtur si kujtim nga shtëpia e saj. Megjithatë, pavarësisht habisë që mund të shohin në ditët e sotme qytete me tolerancë më të përparuar fetare, ende edhe sot, ajo shtëpi, për shkodranët ndodhet në “Lagjen e myslimanëve”.