Pagine

February 26, 2013

Emanuela Jaku, një nga futbollistet e para në Shqipëri

Emanuela Jaku, një nga futbollistet e para në Shqipëri
Në Shkodër për herë të parë u luajt futbolli në Shqipëri nga meshkujt. Për rastësi edhe futbolli i femrave nisi në këtë qytet. Më saktë ishte Juban-Danja skuadra e parë shqiptare e futbollit të femrave. Dhe veç Ferdinand Jaku iniciatorit, me vajzat e reja bënte pjesë edhe Emanuela, e bija e presidentit. Një vajzë 12-vjeçare që nga 2005-sa iu fut rrugës së futbollit. Dhe për të ishte e vështirë që të mposhte paragjykimet, por ia doli. Ajo është futbolliste dhe tashmë trajnere në disnastinë Jaku të futbollit të femrave. Në një rrëfim për “Shekulli-Fundjavë”, Emanuela, tregon sesi nisi të luante futboll që 12 vjeç dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës duke kaluar tashmë edhe në një stad tjetër atë të trajneres.


Emanuela, si ju lindi dëshira për t’u marrë me futboll?

Në vitin 2003 babai i im krijoi një kalçeto futbolli në fshatin Juban. Duke qenë se shtëpinë e kisha shumë afër fushës, luaja vazhdimisht me djemtë, me kushërinjtë e mi. Po ashtu dhe babai im në vitin 2005 arriti të krijonte ekipin e parë të futbollit të femrave në Shqipëri, natyrisht duke më përfshirë edhe mua si pjesë të tij. Prandaj që nga ai vit e deri tani nuk jam shkëputur asnjë ditë nga futbolli.

Sa vjeçe ishit në atë kohë?

Kur fillova të luaja në vitin 2005 me ekipin e femrave, kam qenë 12 vjeçe.

Pse zgjodhët futbollin, kur mund të zgjidhnit një sport tjetër, apo?...

Në fakt futbolli ishte shumë i përhapur në krahasim me sportet e tjera. Natyrisht dhe fusha e kalçetos që unë kisha afër shtëpisë më krijonte më shumë hapësira të merresha me futboll.

Çfarë kujtoni apo keni të fiksuar në memorien tuaj nga fillimet e karrierës suaj?

Sigurisht që të gjitha ndeshjet janë emocionuese dhe kanë rëndësinë e tyre. Por të fiksuar dhe që do të më mbetet shumë gjatë në kujtesë është ndeshja e parë që ne si ekip arritëm të zhvillonim në një fushë të madhe 11 me 11 vajza në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës. Ne si ekip Juban-Danja kemi luajtur kundër ekipit të Prishtinës. Në fakt në atë ndeshje ne kemi humbur, por për mua ishte një moment i veçantë pasi arrita dhe të shënoj. Mos të harrojmë dhe dy vitet e fundit ku ne arrijmë të dalim fitues në Kupën e Shqipërisë të Futbollit për femra që zhvillohet në me organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

A e mbani mend ndeshjen tuaj të parë si futbolliste?

Sigurisht që e mbaj mend dhe nuk kam si ta harroj atë ndeshje pasi isha plot emocione sa pozitive aq edhe negative. Ka qenë ndeshja e parë zyrtare e zhvilluar në Sarandë në vitin 2007. Kjo për mua ka qenë ndeshja e parë zyrtare. Ndërkohë që në vitin 2005 kam luajtur pikërisht në ndeshjen e parë që ne zhvilluam në Juban.

Fillimisht çfarë vlerësimi kishit për futbollin? Po tani?

Fillimisht ka qenë më shumë dëshirë dhe pasion. Vështirësitë as që nuk i kam vënë re për shkak se fusha ishte afër dhe natyrisht ishim dhe fëmijë dhe kishim atë pasionin për të luajtur gjithë ditën. Por duke u rritur gjërat kuptohen shumë më mirë. Vështirësia vjen në rritje, aq më tepër në katër sezonet e fundit zyrtare ku ne marrim pjesë si ekip pretendent, ka dhe kushte që duhet të plotësohen apo stërvitje maksimale. Unë vazhdoj të kem një vlerësim pozitiv për futbollin pasi është një pjesë shumë e rëndësishme e jetë sime. Mendoj se më ka dhënë shumë gjëra pozitive në jetë e do të vazhdojë të më japë. Është një sport që të mban gjallë me emocione, por mos të harrojmë se dhe nga ana fizike është një sport që kërkon gjithmonë një trajtim shumë të mirë.

Si ndiheshin kur thuhej se vajzat e Jubanit kanë thyer tabu, duke krijuar ekipin e parë të futbollit të femrave në Shqipëri?

Normalisht që është krenari për në pasi nuk është gjë e vogël të thyesh një tabu në Shqipëri aq më tepër në vendin ku filluam të luanim futboll, në një fshat të vogël të Jubanit ku dihet se si ishin paragjykimet. Por tani mund të them se gjërat janë shumë më ndryshe e natyrisht vlerësimet janë më të mëdha kundrejt paragjykimeve.

A e keni arritur deri tani atë çfarë keni dashur me futbollin e femrave?

Mendoj se jam e plotësuar deri diku me atë çka kam arritur por e mira nuk ka fund. Siç ju thashë dhe më sipër ne jemi një ekip pretendent dhe dëshira e të gjithëve është për të arritur sa më shumë fitore. Deri tani në kampionatet zyrtare që organizon Federata kemi arritur të fitojmë vetëm dy Kupa të Shqipërisë. Ndërkohë që këtë sezon jemi pretendentë për të fituar dhe kampionatin. Në qoftë se arrijmë të fitojmë kampionatin kemi mundësinë që të marrim pjesë dhe në Ligën e Kampionëve që zhvillohet për futbollin e femrave. Deri sa të arrij këtij qëllim mendoj se akoma nuk jam e plotësuar. Pavarësisht se për mua nuk është hera e parë, pasi unë kam marrë pjesë në Ligën e Kampionëve me një ekip tjetër, por dëshira e ime është që të shikoj Juban-Danjën në majat e larta të futbollit të femrave në Shqipëri.

Emanuela Jaku

Kujt ai dedikoni sukseset e deritanishme?

Sigurisht që meritën më të madhe e ka familja e ime e kryesisht babai i im. Ai është një ndër faktorët kryesorë që më ka shtyrë të luaj futboll. Po mos të kishte qenë mbështetja e tij maksimale unë nuk do të isha këtu ku jam sot. Kjo për shkak se pasioni që ai ka pasur për futbollin e femrave ka arritur të ma injektojë edhe mua në gjak. Kjo më bën që të jem shumë krenare e natyrisht mirënjohëse për gjithë sakrificën që kanë bërë të gjithë që më kanë ndihmuar të ecë sa më shumë.

Çfarë do të kujtoni më shumë apo që ju ka mbetur në mendje nga gjithë këto vite aktivitet në futbollin e femrave, qoftë në ndeshje me Jubanin apo edhe me Kombëtaren?

Për mua janë momente të paharrueshme të gjitha ndeshjet qoftë ato që kam luajtur për Juban-Danjën apo dhe me Kombëtaren e femrave.

Si ishin seancat e para stërvitore në futbollin e femrave, çfarë kujton nga ato?

(qesh)...Nga seancat e para stërvitore ishte vetëm dëshira dhe pasioni për të luajtur futboll, pasi përsa i përkiste anës fizike ose teknike as që ia kisha idenë. Me ardhjen e disa trajnerëve unë arrita të mësoj shumë mirë atë çfarë ishte e nevojshme e sigurisht duhet të jetë dhe me të lindur pasi jo çdo kush mund të jetë në nivele të larta të futbollit. Gjithsesi mund të them se me pasion dhe shumë punë mund të arrihet në një sukses.

Keni edhe motrën futbolliste. A është Paola më e talentuar se Ju?

Po gjithashtu edhe Paola është futbolliste. Përsa i përket talentit të saj ka disa cilësi të mira që ndoshta nuk i ka asnjëra vajzë në ekipin tonë. Sigurisht ajo është në moshë akoma të vogël ku duhet shumë punë dhe përkushtim për të arritur atë ku secila prej nesh dëshiron.

Idhull Kristiano Ronaldon dhe me licencën e trajnerëve.

Emanuela jashtë futbollit është si çdo vajzë tjetër. Ka dëshirat dhe ëndrrat e saja. Disa të realizuara. Disa të tjera ende jo dhe shumë që presin të realizohen. Në rrëfimin e saj ajo tregon për idhujt në futboll, por edhe të qenit vajzë që veç futbollit i përkushtohet familjes dhe shkollës.

A keni pasur një idhull të tuajin në futboll, që keni dashur t’i ngjani?

Sigurisht që duke u rritur që nga viti 2005 ku unë kam filluar të luaj, kam shikuar më shumë futboll ku luanin meshkujt. Atëherë kam pasur një idhull Krisitiano Ronaldon. Por tashmë unë shikoj më shumë futboll femrash dhe për mua shqiptarja Fatmira Bajramaj mbetet një ndër lojtarët më të mira në Europë. Kjo futbolliste mendoj se është një idhull për të gjitha vajzat që luajnë futboll në Shqipëri. Kohët e fundit jeni licencuar edhe si trajnere futbolli nga FSHF-ja.

Çfarë ndryshimi ka për ju nga futbolliste në trajner?

Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, pasi unë përveçse kam bërë punën e trajneres kam luajtur dhe njëkohësisht. Sigurisht që është një përgjegjësi më e madhe. Kur je dhe trajnere duhet të jesh shumë më e qetë në mënyrë që ta shikosh ndeshjen sikur të ishe nga jashtë. Pasi kur ke një trajner të udhëzon më mirë, por kur duhet të bësh të dyja, natyrisht ka edhe ajo lodhjen e saj.

Për shumë vite keni qenë edhe kapitene e skuadrës. Ishit e rreptë me koleget tuaja, tolerante, apo sa është dëgjuar fjala juaj nga koleget tuaja në fushë?

Po kam qenë kapitene e skuadrës ku kam pasur nderin që të ngre lart disa kupa. Normalisht me ndihmën e ekipit me mundin dhe sakrificën që kemi bërë të gjitha së bashku. Nuk është se kam qenë e rreptë ose tolerantë, thjesht jam munduar të gjej gjuhën e përbashkët me secilën vajzë që ishte pjesë e ekipit.

Prej 8 muajsh, jeta juaj private ka marrë një rrjedhë tjetër, duke filluar ndërtimin e një familje të re. A mund të na thoni se në ç’rrethana jeni njohur me njeriun tuaj të zemrës?

Është e vërtetë që prej më shumë se 8 muajsh statusi i im ka ndryshuar. Unë në atë kohë kam qenë vetëm e angazhuar në futboll dhe nuk mendoja asgjë tjetër. Por puna e tij ishte shumë pranë nesh e natyrisht duke qenë një gazetar sportiv ishim në kontakte të drejtpërdrejta. Mund të them se bashkëshorti i im Anton Zalli ishte një shok i afërt i babait tim. Gjithsesi mund të them se disa gjëra janë të shkruara të ndodhin nuk mund t'i përcaktojmë ne.

A e kishit menduar më parë se njeriu i jetës suaj do të ishte nga fusha e gazetarisë sportive?

Se kisha menduar, por siç ju thashë dhe me sipër është çështje fati.

Si ka ndryshuar jeta e Emanuelës gjatë këtyre muajve?

Gjatë këtyre muajve nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor përveç ndryshimit të statusit. Kjo për shkak se unë vazhdoj të jem aktive në futboll, natyrisht me mbështetjen e të gjithëve, bashkëshortit e familjes së tij.

Po tani, a po luani rregullisht dhe si arrini të gjeni kohën për t’u marrë edhe tani me futboll?

Po unë vazhdoj akoma të merrem rregullisht me futbollin. Mund të them se me merr një pjesë të madhe të kohës sime pasi dua të jem në formën time më të mirë dhe e gatshme për të gjitha ndeshjet. E theksova dhe më lart se tashmë kam një mbështetje dhe më maksimale nga dy familje. Futbolli është sakrificë e natyrisht kërkon mirëkuptimin e të gjithëve. Unë dua të falënderoj dhe zotin që këtë pasion timin unë mund ta ushtroj pa asnjë vështirësi. Gjithsesi çdo gjë është pjesë e fatit. Për këtë ndihem me të vërtetë shumë e lumtur.

Emanuela, a është një amvisë e mirë? Çfarë i pëlqen të bëjë më shumë në shtëpi? Cilin ushqim gatuani më mirë apo cili ushqim i pëlqen më shumë?

Nuk është se shquhem për një amvisë të mirë. Duke qenë se jam e angazhuar me futboll nuk më është dhënë mundësia kohore që të merrem dhe me pjesën e gatimit. Natyrisht nuk është se nuk mund ti mbuloj të gjitha pjesët e një amvise. Nuk është se kam diçka më të veçuar se të tjerët. Por gatimi i peshkut mbetet një ndër preferencat e bashkëshortit tim dhe më duhet ta gatuaj.

Përveç futbollit, me çfarë po merreni tjetër në këtë periudhë?

Sigurisht që unë jam me studime. Vazhdoj shkollën e lartë në fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

A jeni adhuruese e librit dhe cilat janë tematikat që ju pëlqejnë më shumë?

I pëlqej shumë librat dhe mundohem të gjej pak kohë edhe për të lexuar ndonjë gjë, pasi siç thashë pak më sipër jam shumë e angazhuar. Ndërsa përsa i përket tematikave më pëlqejnë më shumë romanet.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Projektet janë të shumta në fakt. Por për momentin jam e angazhuar maksimalisht të përfundoj studimet e mia dhe përveç futbollit të mund të arrij të pozicionohem diku në të ardhmen.

Jaku ose sinonimi i futbollit të femrave në Shqipëri.

Jaku e Juban-Danja kanë një lidhje të njohur tashmë. Futbollin e femrave. Ekipi modest i futbollit të vajzave ka një histori krijimi krejt të rastësishme dhe një president i dhënë i gjithi pas këtij sporti, që me një punë si mjek në spitalin e Shkodrës dhe me të ardhurat që mbledh nga fusha e minifutbollit, arrin të mbajë në këmbë me vështirësi ekipin. Ferdinand Jaku ishte ai që bëri realitet një dëshirë të tijën më 2005, ku përpara shtëpisë hapi një fushë minifutbolli, e cila ishte shumë e thjeshtë. Por Ferdinandi nuk ishte i vetëm nga familja Jaku që nisi udhën e sportit. E bija Emanuela u bë një nga futbollistet më të rëndësishme të ekipit. Gruaja e tij Lizina u bë pjesë e stafit teknik duke marrë pozicionin si ndihmëstrajnere. Më pas edhe vajza e dytë Paula iu fut rrugës së futbollit dhe me plot gojën kjo familje nga Jubani konsiderohen si dinastia e futbollit të femrave.