Pagine

February 3, 2013

Kompjuterat do të kenë shqisa

Kompjuterat do të kenë shqisa
Çdo vit, korporata IBM zgjedh mes teknologjive të reja pesë prej tyre, për të cilat ajo mendon se do të ndryshojnë botën në pesë vitet e ardhshme. Lista vjetore e kompanisë, e quajtur "Pesë brenda pesë", në të kaluarën është përqendruar tek risitë për telefonat celularë, imazhet 3 dimensionale, sistemet e transportit dhe teknologjitë e energjisë. Këtë vit, lista e IBM-it përmban
pajisje që do të zotërojnë aftësi të shqisave tona, madje edhe më tepër:
Imagjinoni të blini rroba në internet dhe të jeni në gjendje të vini dorën mbi ekranin e kompjuterit ose smartphone-it tuaj, duke patur ndjesinë e prekjes së pëlhurës. Kjo teknologji simulimi mund të hyjë në përdorim në pesë vitet e ardhshme, thotë Zv/Presidenti i IBM-it Bernie Meyerson.
"Bëhet fjalë për ndryshim rrënjësor të kompjuterave dhe të mënyrës se si ne bashkëveprojmë me ta, si të ishin njerëz."

Makinat inteligjente së shpejti do të jetë në gjendje të dëgjojnë tingujt përreth dhe të nxjerrin në pah ato që na interesojnë më tepër. Për shembull, një sistem i avancuar do të mund t’u tregojë prindërve pse është duke qarë fëmija i tyre i vogël.
"Fëmija mund të jetë i uritur, ose i sëmurë, ose mund të ndihet i vetmuar. Këtë ne nuk mund ta kuptojmë tani, por me këtë sistem të sofistikuar, kjo mund të arrihet."

Në të ardhmen e afërt, kompjuterat do të jetë në gjendje të bëjnë më tepër se sa vetëm njohja e imazheve apo të dhënave vizuale. Për shembull, kamerat e tyre do të mund të analizojnë ngjyrat dhe të kuptojnë se cila është mënyra më e mirë për të radhitur fotot e familjes.

Pajisjet e reja teknologjike do të jenë gjithashtu në gjendje të nuhasin. Nëse teshtini para kompjuterit ose telefonit tuaj celular, disa sensorë të vegjël të do të jetë në gjendje të analizojnë mijëra molekula të frymëmarrjes.
"Mund t’ju japë një paralajmërim që thotë: “Ti ndoshta nuk ndihesh i sëmurë, por ke një infeksion dhe duhet të shkosh tek mjeku menjëherë’."

Shkencëtarët e korporatës IBM janë duke zhvilluar një sistem që mund të ndjejë shijen. Kjo teknologji mund të përdoret nga kuzhinierët për të krijuar receta. Ajo shpërbën përbërësit e ushqimeve në nivel molekular dhe i kombinon, duke krijuar shijet dhe aromat më të njohura. Madje mund të na ndihmojë të hamë në mënyrë të shëndetshme.

"Mund të rekomandojë ushqimet me shijen e preferuar, por gjithashtu mund të masë kaloritë e konsumuara, në rast se personi ka kufizime në sasinë e yndyrës apo kolesterolit që mund të konsumojë. Pra, gjen ekuilibrin ideal mes shijes më të mirë të mundshme dhe vlerave ushqyese më të mira."

Një nga gjërat më mbresëlënëse në lidhje me listën e IBM-it, thotë profesori i shkencave kompjuterike në Universitetin Georgetown, Mark Maloof, është se sa të rëndësishme janë duke u bërë këto pajisje të vogla e të avancuara.
"Mendoj se një nga surprizat e kësaj liste është se si janë vendosur në këto pajisje kaq të vogla, aq shumë elementë të sofistikuar kompjuterikë, që për shembull mund të dëgjojnë apo shohin."

Përparimet në teknologjinë kompjuterike gjatë pesë viteve të ardhshme, thotë zoti Maloof, do të bëjnë që gjërat që tani na duken si fantashkencë të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme.