Tuk Jakova (Shkoder, 20 shkurt 1914 - Tirane, 26 gusht 1959) ishte ndër pionierët e lëvizjes sindikaliste dhe komuniste në Shqipëri, anëtar i celulës së parë komuniste në Shkodër (1934); anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës (1937), i burgosur politik (janar - prill 1939), kryetar i Komitetit Qarkor të Shkodrës në përbërje të këtij grupi Komunist, ilegal dhe i dënuar dy herë me vdekje në mungesë nga fashistët.
Anëtar themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit Qendror. Në prill të vitit 1942, Partia e ngarkoi me organizimin e lëvizjes antifashiste në Qarkun e Shkodrës dhe për ngritjen e çetave partizane në këtë qark.
Në shtator të vitit 1942 mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe në Konferencën e I të vendit të PKSH-së, pas të cilës u dërgua në Mokër, ku punoi për mobilizimin e kësaj krahine, organizimin e këshillave nacionalçlirimtare dhe formimin e çetave partizane.
U bë Komisar i Brigadës së I Sulmuese. Në Kongresin e Përmetit u zgjodh anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe komisar i Divizionit të Parë Sulmues, i cili çliroi krahinat e Veriut.
Në Plenumin e dytë të Beratit u zgjodh antar i Byrosë Politike. Kur u çlirua Shkodra e emëruan komisar i Korparmatës së Tretë deri në shkurt të vitit 1945. Në Kongresin i Sindikatës, Tuk Jakova u zgjodh president i Bashkimeve Profesionale deri në shkurt të vitit 1947.
Kalon për disa muaj në detyrën e Ministrit Fuqiplotë në Beograd, pastaj në shkurt të vitit 1948 u emërua Ministër i Industrisë dhe pastaj Sekretar i Komitetit Qendror për Kuadrot dhe Organizimin dhe zëvendëskryeministër deri në vitin 1951, e në vazhdim vetëm zevendëskryeministër deri në qershor të vitt 1955.
Tuk Jakova ishte Gjeneral Kolonel, i dekoruar me titullin "Hero i Popullit", Urdhërin e Skënderbeut të Klasit I, Urdhërin "Ylli Partizan" i klasit I; Urdhërin e Skënderbeut të klasit II, Urdhërin e Lirisë së klasit II; Urdhërin e Flamurit; Urdhërin e Trimërisë, Medaljen e Kujtimit, Medaljen e Trimërisë; Medaljen e Çlirimit dhe medaljen e Yllit të Kuq.
Tuk Jakova u akuzua për veprimtari oportuniste në gjirin e Partisë nga dy bashkëpunëtorë të tij, Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i tij në Brigadën I dhe Divizionin I Sulmues dhe Liri Belishova që drejtonte Drejtorinë e Organizimit në Komitetin Qëndror dhe ishte vartëse e Tuk Jakovës.
Kritikët e tij nuk zbuluan gjëra që përgjithësisht nuk diheshin, por Mehmet Shehu, në shërbim të ambicieve të tij për t'u bërë zyrtarisht numri dy i partisë dhe i shtetit, e përdori detyrën si Ministër i Punëve të Brendshme në luftën politike brenda Partisë.
Mehmet Shehu kishte patur mosmarrëveshje të ashpra me Tuk Jakovën që në periudhën e luftës, kur e kishte komisar në Brigadën I dhe Divizionin I që komandonte. Tuku ishte i vetmi udhëheqës, përveç Enver Hoxhës, që mund të përballej me Mehmetin dhe ta frenonte në veprimet e tij. Shehu dhe Belishova e shihnin Tukun si pengesë në realizimin e synimeve të tyre politike.
Mehmeti për tu bërë edhe Sekretar i Komitetit Qëndror për Kuadrin ose të paktën që në atë funksion të vinte një mbështetës i tij, ndërsa Liria që ishte antare e Byrosë Politike kërkonte të paktën të bëhej Sekretare e Komitetit Qëndror dhe, ndoshta me mbështetjen e Mehmetit, Sekretare e Komitetit Qëndror për Organizimin dhe Kuadrin.
Edhe pas kritikave të para në Byronë Politike nga ana e Mehmetit dhe Lirisë, Enver Hoxha kishte mendimin se Tuk Jakova ishte njeriu më i përshtatshëm për funksionin që kishte, për shkak të një kompleksi faktorësh: Komunist i vjetër, bashkëthemeluesi i Partisë, drejtues i rëndësishëm politik në luftë, mbështetës në orientimin e ri antijugosllav, kuadër besnik dhe që nuk ia rrezikonte karriken Sekretarit të Përgjithshëm, përkundrazi ia bënte më të sigurtë.
Duke e ditur këtë fakt Mehmeti dhe Liria ju drejtuan ambasadorit sovjetik dhe formuluan dy akuza: Antisovjetizmin e Tuk Jakovës dhe mbështetjen që gëzonte ai nga ana e Enver Hoxhës. Në atë lojë politike, në vitin 1951 Enver Hoxha e sakrifikoi Tuk Jakovën, pasi e pati mbrojtur aq sa mundi.
Nga ana tjetër, Mehmeti dhe Liria nuk i realizuan plotësisht ambiciet e veta. Mehmeti mbeti aty ku ishte në Sekretariat, ndërsa Liria arriti të bëhet Sekretare e Komitetit Qëndror, por jo për Organizimin dhe Kuadrin. Ndërkohë u shtuan dy sekretarë të tjerë dhe me një numër të tillë të madh sekretarësh, pesha e secilit prej tyre në Parti u bë më e vogël. Për më tepër, pas Tuk Jakovës, nuk kishte sekretar kuadri dhe me problemet e kuadrit merreshin të gjithë sekretarët sipas sektorëve që mbulonin.
Në goditjen e parë ndaj Tuk Jakovës, Enver Hoxha e mbrojti Jakovën sa mundi. Ndryshe do të ndodhte me goditjen e dytë, ku Tuk Jakova, në emër të shkrimit të së vërtetës historike për historinë e Lëvizjes Komuniste Shqiptare vuri në dyshim pikëpamjen e deriatëhershme për rolin e madh të Enver Hoxhës në themelimin e Partisë.
Me angazhimin e plotë të Enver Hoxhës kundër tij, Tuk Jakova shkarkohet nga të gjitha funksionet, përjashtohet nga Partia dhe futet në burg, prej nga nuk doli më si rezultat i vdekjes së tij atje, në rrethana të dyshimta që ngrejnë shumë pikëpyetje, ndër të cilat dy janë më kryesore: E vranë me veprim apo me mosveprim; e lanë të vdiste apo e eleminuan!