January 28, 2013
Burrneshat shqiptare, në fokusin e fotografit britanik
Fotot tashme kanë bërë xhiron e botës. Në sitet elektronike ndërkombëtare ku edhe janë publikuar, komentet e vizitorëve të faqes nuk kanë munguar, mbi të gjitha shprehjet e tyre janë një përçapje për të kuptuar diçka më shumë rreth jetës së këtyre të ashtuquajturave “virgjëresha të betuara”. Stili ndryshe i jetës, vendosmëria për të mos u lidhur kurrë në kurorë, i ka tjetërsuar këto femra duke i bërë më të ngjashme me meshkujt.
Veshja tipike mashkullore, të mbajturit e një arme me vete, konsumimi i alkoolit, duhanit, u jep një identitet të ri social këtyre femrave, identitet që ka të bëjë më tepër me rolin e tyre si kryefamiljarë, sesa ka lidhje me aspektin seksual. Kjo zgjedhje në ditët e sotme mund të vijë e çuditshme, por për vetë protagonistet që kanë bërë betimin publik për t’u shndërruar në burrnesha, nuk ka kthim pas. Tanimë, “ajo” është bërë “ai”. Rregulla të imponuara nga shoqëria arkaike, roli i kanunit, nevoja për të ruajtur pasurinë e familjes për shkak të mungesës së meshkujve, ose vendosmëria për të mos u martuar kurrë pas një “dështimi në dashuri”… Origjina e këtij fenomeni është e hershme, ndërsa shkaqet priren të jenë nga më të ndryshmet. Ky ka qenë edhe interesi parësor i fotografit britanik Jill Peters, i cili u ka rënë kryq e tërthor zonave të veriut të Shqipërisë, për të gjetur disa burrnesha shqiptare. I hipnotizuar kundrejt këtyre subjekteve të veçanta që flasin për diversitetin e përvojës njerëzore, e për të cilën sigurisht që Jill kishte dëgjuar më herët, pas muajve të tërë kërkimesh, ai mundi të krijojë një arkiv fotografik të radhës, me portretet e pesë prej tyre. Thuhet që në gjithë vendin janë 100 “virgjëresha të betuara”, të shpërndara gjeografikisht nëpër zona të ndryshme të hartës së Shqipërisë. Ato vazhdojnë të ndjellin vëmendjen e të huajve, që kërkojnë të punojnë mbi subjektet e tyre duke i kthyer në fytyra botërisht të njohura!