Pagine

January 28, 2013

Shkodër, lirimi i banesave

Shkodër, lirimi i banesave
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, përfaqësues të 31 familjeve të cilat kanë marrë urdhër ekzekutimi për lirimin e banesave në zonën e ish-shkollës së Rezervave, kanë kërkuar shpjegim nga kreu i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka.
Rreth 20 persona kanë pritur për orë të gjata për të pasur një takim me kryebashkiakun, por ky i fundit nuk ka pranuar t’i presë në zyrë, derisa janë hasur me të kur Luka po linte zyrën.


‘Takimi’ ka degjeneruar në debate dhe akuza të ashpra mes banorëve dhe kryebashkiakut, pasi në debat e sipër tonet janë rritur. Madje, mes familjarëve ka pasur edhe nga ata që kanë dashur ta qëllojnë kryebashkiakun. Irritimi i qytetarëve ka ardhur për shkak të mos pasjes së një zgjidhjeje konkrete nga ana e kreut të Bashkisë, Lorenc Luka.
Banorët e konsiderojnë urdhërin për lëshimin e banesave si të pa drejtë ndërkohë që vijojnë të jenë të bindur për mos lirimin e banesave deri në momentin kur t’i garantohet një strehim i dytë.

Këta familje jetojnë në ish-shkollën e rezervave ndërsa janë vendosur në këtë tokë shtetërore që nga viti 1992 me urdhër bllokimi nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë Shkodër, Filip Guraziu. Ndërkaq sipas tyre pushteti vendor ia ka dorëzuar këtë pronë një tjetër shtetasi, i cili nuk ka gëzuar asnjë të drejtë dhe pronësi të mëparshme për këtë truall.

Prej një muaji Përmbarimi po ndërhyn për lirimin e shtëpive në disa vende të Shqipërisë. Qindra familje në Tiranë, Durrës e Shkodër kanë mbetur në mes të rrugëve, problem social ky i krijuar pas vendimit miratimit të ligjit për lirimin e banesave të pronarëve nga qiramarrësit.