Pagine

January 25, 2013

Gjobëvënia ndaj policit bashkiak në Shkodër, tri vjet burg autorit

Shkodër, tri vjet burg autorit
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dënuar me 3 vjet burg një person të akuzuar për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë ndaj një ish-polici bashkiak në Shkodër. Pak ditë më parë, gjykata ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasit Gjergj Ndue Pllumbi, të akuzuar për kryerje të veprës penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Sipas akuzës së Prokurorisë, shtetasi
në fjalë ishte denoncuar në maj 2012, se me anë të kërcënimeve ka kërkuar 500 mijë lekë nga qiramarrësi i një lokali në Shkodër që ishte edhe efektiv i Policisë Bashkiake të këtij qyteti. Ngjarja kishte ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”. Prokuroria ka deklaruar se me datë 27 maj 2012, personi me iniciale R.H. ka njoftuar në polici se i kishin kërkuar 500 mijë lekë të rinj gjobë, duke e kërcënuar nëpërmjet telefonit dhe mesazheve telefonike. “Kur ka ndodhur ngjarja, shtetasi R.H. ka qenë para lokalit, që ai i ka marrë me qira në lagjen ‘Tre heronjtë’ në rrugën e stacionit të trenit Shkodër, kur rreth orës 22:30, pranë lokalit ka shkuar i pandehuri Gjergj Pllumbi. Ai ka folur në emër të një personi tjetër dhe i ka kërkuar shtetasit R.H. të paguajë shumën prej 500 mijë lekësh të rinj, me pretendimin se një vit më parë qiramarrësi i lokalit kishte informuar në Polici, duke sjellë arrestimin e shokut të tij për drogë”. Shoku i të dënuarit mësohet se ishte arrestuar për mbajtje hashashi para lokalit të policit bashkiak të Shkodrës. Pikërisht për këtë arrestim, sipas Prokurorisë, i dënuari ka kërcënuar policin duke i kërkuar 500 mijë lekë që të pajtoheshin dhe të mbyllej kjo histori. Polici bashkiak ka refuzuar të paguajë, por më pas disa persona kanë shkuar te lokali i tij. Pasi u ka thënë se nuk paguante, polici bashkiak është përballur me telefonata dhe mesazhe kërcënuese në adresë të tij. Personat i kanë kërkuar të paguante, përndryshe do ta pësonte me sigurinë e tij. Pas këtij paralajmërimi, i dëmtuari lajmëroi Policinë dhe pasi bëri denoncim, u bë pjesë e planit për kapjen e autorëve të ngjarjes. Ai i lajmëroi ata që do t’i paguante paratë, por atë natë, rreth orës 23:45, në momentin kur po bëhej dorëzimi i parave, policia ndërhyri dhe arrestoi shtetasin Gjergj Pllumbi.