January 25, 2013
Lajmi fundit/Bllokohen në Velipojë 1 ton drogë dhe gomonia
Policia Kufitare e Shkodrës ka zbuluar në brigjet e lumit Buna një sasi mbi 1 ton kanabis sativa, sasia më e madhe e zbuluar në qarkun e Shkodrës, e gatshme për t’u trafikuar. Lënda narkotike është zbuluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pranë rezervatit të gjuetisë, në fshatin Pulaj të Velipojës. Efektivët e Policisë kanë gjetur pranë dhe një gomone 15 metra të gjatë, me 2 motorë me 600 kuaj fuqi, me të cilën trafikantët kishin menduar ta transportonin lëndën narkotike. Rreth orës 07:00 të mëngjesit të ditës së djeshme kanë qenë shërbimet e Policisë Kufitare ato që kanë identifikuar një mjet lundrues të fuqishëm, i cili është futur në derdhje të Bunës për t’u ndalur në breg të rezervatit në afërsi të fshatit Pulaj. Në kohën kur uniformat blu po i afroheshin vendit, kanë parë nga larg dy persona që ndodheshin brenda gomones, të cilët sapo kanë parë forcat policore, e kanë lënë gomonen në breg të Bunës dhe janë larguar menjëherë, duke shfrytëzuar edhe bimësinë e dendur të rezervatit. Nga kontrolli i zonës, rreth 20 metra larg gomones, u gjetën edhe pakot me drogë, të cilat do të ngarkoheshin në mjet. Sipas Policisë, dyshohet se lënda narkotike është futur në rezervat mesnatën e së mërkurës, nëpërmjet një automjeti të tonazhit të lartë, kamion tip “IFA”, nga ku më pas është shkarkuar në breg të Bunës. Sipas burimeve policore, duke u nisur nga fuqia e 2 motorëve të gomones, me 600 kuaj fuqi, mendohet që destinacioni i lëndës narkotike të ketë qenë Italia. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se nuk përjashtohet fakti që grupi i trafikantëve të ketë pasur bashkëpunim edhe me persona nga Mali i Zi.