Pagine

January 25, 2013

Dokumentar për aktorin Ndrek Luca

Ndrek Luca
“Të fala nga Ndrekë Luca”, dokumentari i Mevlan Shanajt, që do të shfaqet premierë në ekranin e Top Channel, do të sjellë një profil të panjohur të aktorit Ndrekë Luca, të cilin publiku e rigjen pas 20 viteve të gjata mungese fizike.

Ky kthim ishte dhe qëllimi i regjisorit Mevlan Shanaj, për ta njohur edhe njëherë Lucën, prej fëmijërisë së varfër në Shkoder e deri te shkëlqimi.

Me shprehjen e tij karakteristike, “të fala”, e cila më së miri mishëron dashurinë për Shkodrën, Ndrekë Luca rivjen në 22 dëshmitë e kolegëve dhe miqve, të cilët i kanë ruajtur thuajse të palëvizura kujtimet, tallazet njerëzore dhe ngjitjen e vështirë të aktorit në majën e kinematografisë shqiptare.

*****

Ndrek Luca lindi më 3 shtator 1927 në fshatin Xhan Dukagjin, aktor i mirënjohur shqiptar.

Pasi punoi disa kohë si ushtarak në aviacion, qysh nga viti 1950 vijoi si aktor në Teatrin Popullor me rolin e Kelv Dhembacit në dramën “Halili dhe Hajria” të Petro Markos.Spikati më vonë me rolin e Jagos në tragjedinë e Shekpsitit “Otello”, të semes në dramën “Toka jonë” e Marko Tope Osoja Në dramën “Arturo Ui” të Brehtit, Ndrek Luca luajti rolin e Xhirit duke sendërtuar me një gjuhë shprehëse, përkitazi parimeve brehtiane të teatrit, planet satirike me ato dramatike. Krijoi një karakter të spikatur e realist me rolin e Brung Trolit (drama “Përmbytja e madhe” e K. Jakovës), kurse në dramën “Baca i Gjetajve” të F. Krajës interpretoi rolin e Bacës, një malësor trim, dinjitoz, i përmbajtur, ku është e pranishme po aq edhe një kahje e fortë dramatike.

Luca është aktor i thyeshëm, që operon me plane të ndryshme interpretative, sa komike po aq tragjike, sa heroike po aq të rëndomta, duke e “thyer” modelin paraprak. Është nga aktorët e zëshëm të filmit artistik shqiptar, duke realizuar mbi 30 figura, të veçanta në llojin e tyre, si Dom Pali (“Komisari i dritës”), Ndrio (“Udha e shkronjave”), Gjini (“Plagë të vjetra”), Pjetër Mustakuqi (“Operacioni zjarri”), Rahmiu (“Duel i heshtur”) etj. Ndrek Luca zotëronte një mimikë tepër ekspresive; përdorte me mençuri gjestin e figurshëm, plastikën dhe mjete të tjera të njëmendësimit pamor të personazhit.

Filmografia

Viktimat e Tivarit - (1996)
Balada e Kurbinit - (1990) Vuhan Pasha
Guri i besës - (1986) Zefi
Koha nuk pret - (1984) (TV) Cen Vrapi
Lundrimi i parë - (1984) Qazimi
Fundi i një gjakmarrjeje - (1983) Shpend Gollapi
Qortimet e vjeshtës - (1982) Rasim Aga
Nusja -(1980) Dem Mareci
Çeta e vogël - (1979) Dash Cubaku
Mysafiri -( 1979) shoku Gazmend, kryetar dege
Nga mesi i errësirës - (1978) Xha Meti
Udha e shkronjave - (1978) (TV) Ndrio
Pylli i lirisë - (1976) Lam Shllapi
Thirrja - (1976) Vat Marashbregasi
Tinguj lufte - (1976) Selimi
Në fillim të verës - (1975) Gjeneral Piçioni
Rrugicat që kërkonin diell - (1975) Gani Herri
Shpërthimi - (1974) Inxhinier Hasani
Shtigje të luftës - (1974) Ramazan Daci
Brazdat - (1973) Vëllai i Azemit
Operacioni zjarri - (1973) Pjetër Mustakuqi
Gjurma - (1970) Babai i Artanit
Njësiti guerril - (1969) Çekani
Prita - (1968) Komandanti Partizan
Plagë të vjetra - (1968) Gjini
Duel i heshtur - (1967) Kapter Rahmiu
Oshëtime në bregdet - (1966) Jonuz Bruga
Komisari i dritës - (1966) Dom Pali
Detyrë e posaçme - (1963) Tomori