Eshtë ndarë nga jeta shkrimtari i humorit shkodran, Prof. Paulin Selimi në moshën 66-vjeçare. Autori i skeçit të famshëm të Zef Dedës “Kunati i shokut Xhemal”, ndërroi jetë sot pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Selimi njihej si penda dhe shpirti i aktorëve të shquar humoristëve shkodranë, të cilët bënë emër në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, ndërsa në vitin 2002 është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri” i Artë për krijimtarinë letrare.
Prej tij janë vënë në skenë qindra skeçe, monologje, komedi me një akt dhe pjesë nga humori i Paulin Selimit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Homazhet për shkrimtarin Selimi bëhen ditën e enjte prej orës 12:00 -14:00 ne Teatrin "Migjeni" në qytetin e Shkodrës.
*****
Paulin Selimi lindi në lagjen Gjuhadol të qytetit te Shkodres, më 11 nëntor 1947, në një familje me origjinë prej Dushmanit të Dukagjinit. Në qytetin e lindjes mbaroi 7 vjeçaren dhe gjimnazin, ndërsa studimet e larta i mbaroi në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë më 1969. Për vite me radhë ka punuar si mësues i letërsisë, ndërsa në 2002, u emërua drejtor i shkollës së mesme artistike "Prenk Jakova" të Shkodrës. Nga viti 1991-2001 ka qenë Kryetari Lidhjes së Artistëve të Shkodrës. Për vite me radhë ka qenë bashkëpunëtor i radiove, televizioneve, shtypit dhe i skenave të estradave. Me qindra skeçe, humore, estrada, komedi janë vënë në skenë që mbajnë firmën e Paulin Selimit. Ai ka marrë disa çmime kombëtare në konkurse të ndryshme dhe vepra të tij janë përkthyer dhe në gjuhë të huaja.
Në 2002-shin është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë për krijimtarinë letrare. Ndër botimet e tij humoristike spikatën "Gati orkestra "1972, "Një skeç për veten" në 1977, "Banor i shkallës së lartë" 1981, "Nuk shihet fytyra vetëm tek pasqyra" (epigrame) në 1985, "E drejta e natës së parë" në 1994 dhe "Duel gjelash"në '97 dhe '99-tën dy botime.