January 20, 2013
Artan Bushati: Do jetë një Vllazni ndryshe
Artan Bushati është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Kontrata është nënshkruar dje në ambientet e klubit ndërmjet administratorit Fatos Gjyrezi dhe teknikut të ri, Artan Bushati. Kontrata është 18-mujore, çka do të thotë se trajneri do ta drejtojë ekipin shkodran deri në fund të kampionatit të ardhshëm. Drejtuesit e kuqebluve e kanë gjetur menjëherë zëvendësin e Shpëtim Duros. Ky i fundit prishi kontratën me mirëkuptim me klubin. Prej shumë ditësh, emri i Bushatit ishte përfolur për t’u ulur në stolin shkodran. Ai rikthehet pas 14 vitesh te Vllaznia. Në fjalën e tij, trajneri u shpreh: “Nuk është një privilegj në këto momente që të merret drejtimi i ekipit të Vllaznisë. Megjithatë, e kam pranuar ofertën e bërë në mënyrë që të kontribuoj për këtë skuadër si një obligim qytetar. Për këtë Vllazni kanë kontribuar shumë e shumë breza, por në këtë sezon ajo ka qenë e privuar nga rezultatet. Me donatorin e ri, stafin drejtues të klubit dhe të gjithë futbollistët pa përjashtim, duke pasur me vete edhe tifozërinë e zjarrtë, shpresoj dhe besoj se do të arrijmë të bëjmë kthesën pozitive në rezultate, në arritjen e atyre objektivave që ka klubi. Ta rikthejmë Vllazninë në majat e futbollit”, u shpreh tekniku. Ndërkaq, trajneri Duro ka njoftuar dje dorëheqjen. Burime pranë klubit pohuan se ai ka marrë 5 milionë lekë të vjetër, nga 12 që duhet të merrte deri në fund.