Pagine

February 28, 2013

Hamdi Salihi, Gol që në debutim

Hamdi Salihi
Ky është Hamdi Salihi, i cili e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij me skuadrën kineze, Jiangsu Sainti. Shkodrani shënoi golin e vetëm në humbjen 5-1, përballë kampionëve të Koresë së Jugut, FC Seul. Takimi ishte i vlefshëm për fazën e grupeve të Kupës së Kampioneve të kontinentit aziatik (e njëjta gjë sikundër Champions League në Europë). Skuadra e Salihit, e cila sezonin e fundit në Kinë ka qenë nënkampione, është shortuar në Grupin E së bashku me Seulin, kampionët e Tajlandës, Buriram Junajtid dhe nënkampionët e kampionatit japonez,
Vegalta Sendai. Duke parë kundërshtarët në grup, parashikohet që Jiangsu Sainti të mund ta kalojë këtë fazë, duke qenë që si tajlandezët, edhe japonezët nuk shihen si rivalë (të paktën teorikisht) të pathyeshëm. Për sa i përket ndeshjes, FC Seuli e mbylli pjesën e parë me rezultatin 2-0 falë golave të Damjanoviç në minutën e 9-të dhe Jun në minutën e 33-të. Duke parë forcën e kundërshtarit dhe rezultatin në tatëpjetë, trajneri i Jiangsu Sainti, serbi Dragomir Okuka, hodhi menjëherë në fushë me fillimin e pjesës së dytë Hamdi Salihin. Shkodrani ishte lënë fillimisht në stol, duke qenë se nuk është ambientuar ende me kolegët e skuadrës (ka ardhur tek ekipi kinez vetëm në fillim të këtij muaji). Mirëpo, edhe në fraksionin e dytë të lojës, vendësit iu imponuan kinezëve, kjo duke shfrytëzuar edhe faktorin fushë. Kështu, Jun trefishoi në minutën e 56-të dhe Damjanoviç sigloi golin e katërt në minutën e 61-të. Për të ardhur te goli i sulmuesit të Kombëtares shqiptare: minuta e 81-të, një lojtar i Jiangsu Sainti merr krahun e djathtë të sulmit dhe kroson tokazi në zonë, aty ku Salihi me zgjuarsi lirohet nga markimi i mbrojtësve dhe pa u menduar dy herë gjuan me të parën, duke shënuar golin e vetëm për skuadrën e tij. Por, ka kohë edhe për një gol tjetër të vendësve, që realizohet nga kolumbiani Molina (ish-mesfushor i Santosit në kampionatin brazilian). Një fillim jo i mirë i skuadrës kineze që, pas ndeshjeve të para, gjendet në vend të fundit në renditjen e Grupit E. Ndeshja e tyre e ardhshme është më 12 mars kundër japonezeve të Vegalta Sendai dhe pritet që Salihi këtë herë të aktivizohet që nga minuta e parë. Salihi u transferua te Jiangsu Sainti nga skuadra amerikane DC Junajtid javën e parë të këtij muaji.

Çani: Jam gati të luaj në Serinë A

Edgar Çani e ka zgjidhur problemin e kartonit të tij, kësisoj nga kjo javë është në dispozicion të trajnerit të Katanias. “Të dielën do të jem i gatshëm të luaj në Serinë A. Një ndeshje kundër një ekipi të madh si Interi. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur, sepse Katania ka treguar se brenda fushës së vet ka arritur të marrë shumë rezultate pozitive. Nëse më jepet mundësia, do jem i gatshëm të jap më të mirën time, qoftë edhe për disa minuta. Dua të fitoj zemrat dhe besimin e tifozëve dhe të trajnerit”, – ka thënë dje sulmuesi.

Mavraj humb zv.trajnerin, dorëhiqet

Gjithnjë e më keq situata te skuadra gjermane e Grojther Furthit, ku luan Mërgim Mavraj. Dje ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme edhe trajneri i dytë i skuadrës, Mirko Reishel. Duke parë rezultatet shumë të dobëta të skuadrës në këtë sezon në Bundesligë, ky i fundit nuk ka duruar më, por ka kërkuar që të largohet. Çudia është se këtë gjë nuk e ka kërkuar trajneri i parë, Majk Buskens, i cili gjithsesi vazhdon të ketë mbështetjen e drejtuesve, pavarësisht se ekipi është në vend të fundit në tabelën e renditjes.