Perëndia e lashtë e vênës Bakhu në Kafen e Madhe të Shkodrës
Para do ditve në muzg ose “në të ngrysur”, siç i thonë me toskërishte, u ndodhëm bashkë me prof. dr. Ahmet Osja, përpara “Bakhut të Kafes së Madhe”.
- Shife, shife, “gjynahi Zotit e mârre me met në kët gjendje Kafja e Madhe”!
- Po, ke të drejtë mor profesor Ahmeti. Vetëm “Kafen e Madhe”, si për çudi fati e ka pa me han të keqe!
- Hê pra mor burr.
Dhe, duke e pa me interes e vëmendje Bakhun, a thua se po e shifshe për herë të parë, papritur në memorien e
kujtesës dhe në memorien e filmimeve të trunit, m’u rindezën disa kujtesa të largëta dhe të afërta! A thue se u desh ky ngacmim si nji klikim dhe të hapeshin ato porta të mbylluna, ndonjëra edhe prej dekadash harrese.
- Prof. Ahmeti, a ta merr mendja se, çfarë m’u kujtuen papritun? Një tregim, për historinë, se ku e ka marrë shtytjen dhe idenë Kol Idromeno, e dyta, baj be se dikund e kam pa kët ftyrën e Bakhut dhe e treta m’u kujtue se, zotni Bakhun bashkë me fjalë të urta mesjetare dikund e ka përmendë edhe Skanderbegu. Ah, kjo temë e meriton një shkrim.
- Bane, bane diçka të bukur, siç e ke ba edhe për venën e perendive prej mjalti të ilirëve.
- Do ta baj shum të shkurtë shkrimin. Do ta baj Bakhun shkodran me folë vetë me mimikën e tij…
Kafja e Madhe
“Kafja e Madhe”, ndodhet në qendër të Shkodrës. Ban pjesë ndër tre ma të mëdhatë e Shkodrës: Kisha e Madhe, Arra e Madhe dhe Kafja e Madhe.
Shkodra dhe humori i saj kanë plot nga këto treshe të mëdhaja! Nuk ka skaj pa ia nxjerrë shkodranët ndoj bisht humori dhe madje mund të gjesh humor të regjistruem edhe qysh nga mesjeta. “Ç’po punojshin tre vllazën”; “Me mihë në Bunë”; “Me t’u kapë sa Kisha e Madhe”…
Në kohën e filmave me Stive Rives, na doli edhe një treshe e re: “Tre ka botaa moj ta marshaa, Stive Rives nji, Muhamet Alii dy, dhe Mani i lagjes që xên dilliin me shpatllaa, tre”!
Guljem Luka, djali i axhës Nush, të Angjelin Lukës (Dritë paçin!), një ish aksioner e pronar i Kafes së Madhe, më ka pas tregue dikur se, Kola (Idromeno) e ka pas frymëzimin e Bakhut, nga nji libër i Skanderbegut. Me at ras Kola thote: “M’ka dal pitur, besa edhe ma bukur se e kam mendue. Hajde e merre vesh a kjan ky a qesh, apo po t’përqesh.
Ja shikojeni vetë, o shqiptarë të sotshëm. Apo buzëqesh, apo kjan ky plak, apo ngërdheshet me ironi …?! Ç’farë mesazhi përcjell?
E, ta themi troç, se në kohën kur Kola e ideonte dhe e kompozonte këtë “Kryet e Bakhut”, në Shkodër ishte unik! Edhe kijeni parasysh se, mban edhe shtresa gëlqereje mbi sipër…
Gjergj Kastrioti Skënderbeu: “Bakhu e filloi Bakhu le ta shuj, jo Marsi”!
Te libri “Historia e Skëndërbeut”, bot. 1967, f. 380-381, M. Barleti përshkruante atmosferën mbas fitores së bujshme, ku mundi Hamza Kastriotin, në Fushën e Albulenës/Bardhëza ose Fusha e Ujrave të Bardha, në derdhjen e lumit Mat. Dihet fare mirë, dhe e kemi parasysh edhe nga skena e filmit, se, Skënderbeu shfrytëzoi aty elementin e befasisë. Ushtria turke e dehur nga fitoret po shullahej në diell, ndërsa Hamzai, po dëfrehej në haremin fushor, nën klimën subtropikale të sezonit, kur papritur shqiponjat e sulmuan. U zu plaçkë e madhe.
Me atë rast Barleti, si thesar informatash, shënon me gojën e Skënderbeut, edhe një fjalë të urtë dhe të vjetër popullore: “Që nga goja tek kafshata, janë njëmijë hapa”! Kuptimi do të thoshte se, mburrjet dhe dhëniet e gojës nga Hamzai, përfunduan pa u futur brenda në gojë, për t’u kafshuar e bluar, për t’u kapërdirë pastaj për në stomak. Pra Skënderbeu ia rrëmbeu fitoren nga goja, si ajo shqiponja më luftarake që ja rrëmben fluturim nga sqepiprenë një shqiponjës së pavëmendëshme.
Plaçka e madhe dhe festimi me vênë mbas fitores, shkaktoi edhe një grindje dhe ngatërresë midis ushtarëve të Skënderbeut, sa që po bëheshin gati edhe të nxirrnin armët. Në këtë moment, siç shkruan Barleti, ndërhyn Skënderbeu me buzë në gaz dhe “i njohur edhe si gaztor popullor” u tha: “Bakhu e filloi, Bakhu le ta shuaj, jo Marsi”.
Siç e dijmë, Bakhu ishte perendija romake e verës etj, ekuivalente e Dionizit grek e po ashtu edhe Marsi, perendija e luftës, ishte ekuivalenti i Aresit grek.
Mbyllja
Unë due me e mbyllë kështu, me këtë mesazh: Bakhu duhet ta shpëtojë Bakhun e Kafen e Madhe! Shkodranë hani petulla, festoni karnevalin dhe mbani maska shkodrane-veneciane të Angonit, por kujtohuni edhe për Kafen e Madhe, duhet restaurue ma në fund!
Bakhu dhe jo Marsi, duhet ta shpëtojë të gjith Shqipërinë dhe popullin shqiptar!