Pagine

February 4, 2013

Shkodër, treni përplaset me makinën

Aksident Shkodër, treni përplaset me makinën
Mungesa e rojës pranë mbikalimit të Kaces në linjën hekurudhore Tiranë – Shkodër ka shkaktuar një aksident të rëndë ku një person ka humbur jetën ndërsa dy të tjerë janë në gjendje te rëndë.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 16:45, ku treni i udhëtarëve me mashinist Gëzim Rumia, ka përplasur autoveturën tip Benz katër fenerësh me targë LE 9843 A, që drejtohej nga 47- vjeçari Ernest Kovaçi në mbikalimin e Kaces.
Brenda automjetit kanë qenë edhe Altin Kovaci 38 vjeç si dhe Vitore Kovaci, të tre këto pjesëtarë të së njëjtës familje.

Aksident Shkodër, treni përplaset me makinën
Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen ne spitalin rajonal të Shkodrës shtetasi Altin Kovaçi, si dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën 40-vjeçarja Vitore Kovaçi, ndërsa drejtuesi i automjetit është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës. Të tre këta shtetas ishin banues në fshatin Dragushe Komuna Dajç Lezhë.
Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit të rëndë.
Nga ana tjetër banorët e fshatit Kacaj shprehen mjaft të shqetësuar për aksidentin e ndodhur që sipas tyre nuk është i pari gjatë muajve te fundit. Banorët fajësojnë hekurudhën, e cila sipas tyre ka hequr nga puna rojet e mbikalimit duke i lënë të gjithë mbikalimet pa roje dhe duke u shndërruar në këtë mënyrë në burime aksidentesh.
Brenda një muaji ky është aksidenti i dytë i shkaktuar në mbikalimet e ligjshme në rrethin e Shkodrës nga përplasja e trenit Tiranë-Shkodër me automjetet. Shkaktari kryesor është mungesa e sinjalistikës si dhe mungesa e rojeve pranë mbikalimeve. Përpara kësaj situate drejtoria e hekurudhës hesht ndërsa banorët apelojnë që këtij problemi madhor t’i jepet zgjidhje sa më shpejt.