Pagine

February 5, 2013

Fiks Fare, Armë e fishekë në dyqane ushqimore

Fiks Fare, Armë e fishekë në dyqane ushqimore
Fishekët e armëve të zjarrit shiten në dyqane ushqimore dhe në treg. Askush nuk kontrollon dhe ndalon shitjen e municioneve të armëve të zjarrit të gjuetisë. “Fiks Fare” ka investiguar tregtimin e paligjshëm të municioneve të armëve të gjahut, të cilat janë po kaq të rrezikshme sa edhe armët luftarake. Investigimi ka nisur që nga Shkodra e deri në Tiranë. Shitës ambulantë, por edhe të dyqaneve ushqimore, tregtonin municionet në dyqanet e tyre pa u trembur nga rreziku që u kanoset, ndërsa policia nuk ndërhyn për ndalimin e kësaj tregtie. Edhe pse këta fishekë përdoren për gjueti, ata mund të marrin edhe jetë njerëzish. Fishekë që shiten lirshëm në dyqane ushqimore apo treg. Gazetarët e “Fiks Fare” gjetën në Velipojë, Trush, tregun e Milotit dhe atë të Fushë-Krujës.

Gazetarët e "Fiks Fare" u paraqitën te këto dyqane si qytetarë që kërkonin të blinin fishekë për armë gjahu. Asnjë prej tregtarëve të fishekëve nuk u ka kërkuar gazetarëve të “Fiks Fare” që të tregonin lejen për mbajtjen e armëve të gjahut. Ndërkohë që ligji Nr. 7566, datë 25.5.1992 “Për armët”, neni 3 dhe 9, nuk lejon tregtimin e municioneve apo armëve të gjahut pa leje, si dhe prodhimin e tyre.

"Fiks Fare" e ka nisur investigimin e tij në Velipojë, në një dyqan ushqimor. Gjatë bisedës me këta tregtarë, kuptohet se ata nuk kanë informacion mbi përdorimin e fishekëve apo edhe rrezikun e tyre. Por të gjithë këta tregtarë pranojnë se fishekët që ata shesin nuk janë prodhim artizanal dhe janë të fuqishëm, sa mund të vrasin edhe njerëz.

Në tregun industrial të Milotit dhe të Fushë-Krujës, nëpër tezga gjen edhe fishekë. Ato shiten hapur dhe madje tregtarët e reklamojnë mallin e tyre duke treguar se fishekët që kanë për shitje janë të kalibrave të ndryshëm për çifte. Këta tregtarë pranojnë që t’ua shesin edhe të miturve. Gjatë bisedës me një nga gazetarët e “Fiks Fare” të paraqitur si gjuetarë, një tregtar fishekësh në tregun e Milotit, kur gazetari i thotë se do të dërgojë një djalë 15-vjeçar për të blerë fishekët, pranon se do t’ia japë.

Më pas, investigimi i gazetarit ka vazhduar në një dyqan që shiste armë gjahu në Vorë. Ky tregtar shet pajisje që shërbejnë për prodhimin e fishekëve të armëve të gjahut. Ai i sugjeron gazetarit që të blejë dy makineri artizanale dore, që përdoreshin për montimin e fishekëve të çiftes. Sipas tregtarit, makinat janë fare të thjeshta në përdorim. I kam të gjitha pajisjet e fishekëve, duke nisur nga saçmat, kapsollat, kallamin, tapat, barutin, që i duhen një fisheku. Më pas ai ka nisur të mësojë gazetarin për mënyrën e prodhimit të fishekëve të çiftes.

Tregtari ka renditur çmimet e përbërësve të fishekëve duke filluar nga baruti, kapsollat, gotat. Kostoja e këtyre fishekëve, nëse i prodhon në mënyrë artizanale, është më e ulët.

Gjatë gjithë bisedës dhe pazarit, tregtari në asnjë moment nuk ka kërkuar lejen e armës. Ndërkohë që ligji ndalon prodhimin e municioneve të armëve të zjarrit në mënyrë artizanale.