Historia e ekzistimit të një date. Shkruan: Shefqet Dibrani
Data 7 mars 1887 nuk shënon themelimin e Shkollës së parë shqipe.
Dita e Mësuesit që përkon me datën 7 Mars 1887, në vete ngërthen dy koncepte kryesore: E para, tradita e shkollës shqipe të ketë historik tepër të shkurtër që përkon me pikëpamjet sllave mbi lashtësinë shqiptare në Ballkan gjë që përputhet edhe me mentalitetin sllav të komunistit Enver Hoxha dhe bashkëmendimtarëve të tij dhe së dyti,
të gjitha pikëpamjet dhe koncepti të jetë me origjinë sllave (socialiste) në mënyrë që mësuesi të zhvishet nga çdo ndjenjë shqiptare.
Arsimi dhe kultura janë themelet fundamentale për zhvillimin mendor dhe intelektual të një shoqërie. Shkollat vazhdimisht janë zhvilluar nëpër rrethana dhe proceset e veta historiko-shoqërore, duke kaluar nëpër etapat më të errëta të shoqërisë për të mbërritur deri në ditët e sotme, prandaj me të drejt thuhet se historia për shekuj të tërë e ka vënë edhe popullin tonë përpara alternativës: të ekzistojë apo të shuhet, të jetojë i lirë apo të robërohet. Po ndërkaq këto rrethana dhe procese mund të ndryshohen nga veprimi aktiv i forcave intelektuale e krijuese që kanë nxjerrë prej të kaluarës mësime të vyera për të tashmen dhe të ardhmen. Dihet mirëfilli se misioni origjinar i fjalës është mbrojtja e njeriut dhe e kolektivitetit njerëzor, në radhë të parë, mbrojtja e shëndetit shpirtëror, pastaj e shëndetit fizik, e qenësisë. Shkolla këtë mision kaq të shenjtë, përkundër vështirësive, me shumë sakrifica e ka realizuar përmes ndjeshmërisë që fitoi, e pranishme në shpirtin e nxënësit, duke u prezantuar në planprogramet shkollore që të parandiejë të fshehtat në të sotmen dhe në të ardhmen, me një guxim, me një vetëmohim e sakrificë për t'i parathënë fatet njerëzore dhe për të ndikuar në rrjedhat e fateve.
Rituali i ngritjes dhe vetarsimimit ishte bërë tipar krejt i dukshëm në jetën dhe traditën e popullit shqiptar, pa marrë parasysh rrethanat shoqërore nëpër të cilat kaloi. Sepse kjo kulturë, duke i qëndruar në roje njeriut e popullit të vet, bëri çdo gjë që ishte e mundshme, që ky popull parasegjithash të mos preket, nga epidemitë pansllave të cilat gjithmonë synuan e po synojnë venitjen e shqiptarëve në këto hapësira. Pastaj t'ia ruajë konstitucionin kombëtar, duke ripërtërirë gjithë qenien e këtij konstitucioni qysh prej Ilirit të parë, njëherit ta ruajë dhe ta shpëtojë nga mjedisi armiqësor që synonte të rrezikojë ekzistencën fizike të shqiptarëve në Kosovë e kombit tonë në përgjithësi, nuk ka qenë kurdoherë detyrë e lehtë për t'u përmbushur. Aq më tepër kur arsimi dhe kultura jonë kombëtare për vite të tëra sikurse në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri u zhvillua së mbrapshti, në kushte terrori, dhune, lufte, lufte të klasave, dilemash të mëdha për jetë a vdekje. Ajo kurrë nuk u dorëzua, por kultivoi shpresën e fitores për ditët e bardha. Gjer më sot, ajo i bëri rezistencë të pakontestueshme tendencave sllave për asimilimin e saj, duke dhënë argumentet e veta më të forta shpirtërore e materiale se kultura jonë nuk është e pa rrënjë, se nuk ka lindur në shekullin e kaluar, por se është një kulturë me një traditë të lashtë historike e autoktone. Rrënjët e saja datojnë në këto treva së paku që nga shekulli i VII para ardhjes së sllavëve.
Nuk do pra shumë mend se përse njëra nga temat më të rënda e të shpeshta të mendimit aktual politik ka qen dhe është arsimi dhe kultura shqiptare. Kjo është tema të cilën e trajtojnë aq shpesh sa që mund ta quajmë temë obsesive të publicistikës dhe krijimtarisë shoqërore të intelektualëve shqiptar dhe të huaj. Arsimi dhe kultura e një populli janë pikërisht shpirti i një kombi, nëse shkatërrohet ai shpirt atëherë sikur vdes trupi i njeriut dhe më këtë vdes edhe qenia e tij kombëtare. Një vdekje të tillë për shekuj të tërë na e kanë dëshiruar shovenët serbë, por ne duhet të bëjmë çmos për ta ruajtur kulturën shkencën, arsimin, dhe artin tonë.
Por, historiografia shqiptare çuditërisht ka pranuar Mësonjëtoren e Korçës si Shkollën e Parë Shqiptare duke ia vënë pikëpyetjen ekzistencës së kombit tonë në këto hapësira. Këtë gjë më shumë se të tjerët e kanë dëshiruar sllavët ngase ju shkonte për shtati për ta argumentuar të vërtetën e tyre aq të pavërtetë mbi të drejtën e Kosovës. Historiografia shqiptare këtë çështje nuk e ka rrahur drejt për t'ia vërë themelet e qëndrueshme të ekzistencës dhe traditës shqiptare të ekzistimit të shkollës shqipe në këto hapësira.
Kjo u arrit në saje të shtresës mediokër të cilat nuk morën për bazë të vërtetën shkencore dhe historike, por ranë pre e pasioneve egoiste tepër të çoroditura. S'ka dyshim shkolla e sotme shqipe ka një kontinuitet të pa ndërpre pikërisht nga kjo periudhë. Por nuk mund të pajtohet njeriu se Shkolla e Parë Shqipe ekziston vetëm nga 7 marsi i vitit 1887, prandaj shkenca shqiptare ka pësuar një degradim lajthitës, kur është pajtuar me këtë të pavërtetë shkencore. Do të ishte diçka tjetër sikur të thuhej Shkolla e Parë Shqipe pas pushtimit shekullor otoman mbi këto treva filloi punën me këtë apo atë datë, ose të gjendej ndonjë formulim tjetër, që lë të nënkuptohet se Mësonjëtorja e Korçës është rihapje e parë e një shkolle shqipe pas kaq e kaq vitesh të sundimit obskurantist, e jo siç e kemi kallapitur deri më sot, dhe si jua kemi ofruar edhe të tjerëve pa u skuqur fare, bile jemi mburrur se ne shqiptarët kemi një traditë njëqindvjeçare të shkollës shqipe. Më shumë se kushdo tjetër përgjegjës ishte logjika komuniste e pushtetarëve në Shqipëri për këto veprime antishkencore, kurse Kosova që ishte nën regjimin sllav e përpinte çdo megalamoni që vinte nga Shqipëria. Kjo çështje i shkonte për shtati edhe regjimeve aktuale mbi Ballkanin e trazuar, e sidomos serbëve për të humbur çdo gjurmë historiografike të ekzistimit shqiptar në Kosovë e më gjerë.
Për t'i shërbyer së prapthi traditës shqiptare u shkëputën të gjitha rrënjët historike me të kaluarën, për t'i bërë rrënjët e reja me qëllime të caktuara, që i hynin në punë politikës antishqiptare të shteteve për rreth. E kësaj kohe është edhe "Dita e Mësuesit" 7 Marsi, datë që edhe sot festohet me pompozitet edhe në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, pra aty ku jetojnë shqiptarët, kurse pikërisht me këtë datë lidhen vendimet më drastike antishkencore që i bëri sistemi komunist, shkollës dhe arsimit shqip, që ka filluar të festohet zyrtarisht nga viti 1960. Kjo ditë për dekada me radhë qe dhe është njëra ndër festat më popullore për mësuesin dhe shkollën tek shqiptarët kudo që jetojnë. Pra 7 Marsi - DITA E MËSUESIT ka filluar të festohet me vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë Nr.113, datë 03.III.1960, në të cilin thuhet:
V E N D I M
mbi caktimin e datës 7 mars si dita e mësuesit.
Me qëllim që të ngrihen gjithnjë më lart traditat e popullit tonë; duke e çmuar rolin e madh të punonjësve të arsimit në edukimin e brezit të ri dhe në zhvillimin e gjithanshëm arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë socialiste; duke marrë parasysh se data 7 mars 1887, dita e çeljes të shkollës së parë shqipe shënon një fakt historik me rëndësi në jetën politike e kulturore të vendit tonë; me qëllim që të përkujtohet data 7 mars 1887,
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
me propozimin e Qeverisë
V E N D O S I :
1. - Caktohet data 7 Mars si dita e mësuesit.
2. - Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Tiranë, më 3 mars 1960
Vendimi Nr.113
Sot, 7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjithë vendin, ndërsa në Kosovë për herë të parë, ka filluar të festohet publikisht, vetëm pas viteve të '90-ta, ku mësuesi dhe shkollat shprehën gëzimin e tyre për një datë të shënuar që festohej prej katër dekadave në Shqipëri, kurse mësuesi kosovar para nxënësve të tij nuk ka pasur mundësi të flasin haptas ngase regjimi komunist serb i kishte rrënjët edhe në shkollat shqipe. Edhe tekstet shkollore të historiografisë kosovare për këtë çështje e kanë pasur të ndaluar për të shkruar sa duhet dhe si duhet, prandaj shkencëtarët kosovarë, shumë pak e kanë thënë fjalën e tyre, (përjashtoj mundësinë e botimit të ndonjë libri viteve të fundit), me që rast ne po veçojmë dy karakteristika themelore:
1. Data 7 mars 1887 nuk shënon themelimin e Shkollës së parë shqipe, por shënon ditën e hapjes së Mësonjëtores shqipe të Korçës, sepse në tokat shqiptare edhe më parë kishte shkolla shqipe, p.sh. Shkolla e Kurbinit 1632, Shkolla e Përdhanës 1638, Shkolla e Blinishtit 1639, Shkolla e Janjevës 1665, Akademia e Re e Voskopojës 1750, etj.
2. Pikërisht me këtë datë lidhet "Fjala e 7 Marsit", fjalimi programatik i Enver Hoxhës i përmbledhur nën titullin "PËR REVOLUCIONARIZIMIN E MËTEJSHËM TË SHKOLLËS SONË", i mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH, më 07.III.1968.
Po çfarë na është "Fjala e 7 Marsit" që e ka mbajtur Enver Hoxha në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 7 mars 1968?! Ky fjalim është një dokument origjinal i dhunës dhe shtypjes së traditës shkollore të kultivuar shekuj me radhë. I gjithë arsimi shqiptarë tash përshkohej nga pikëpamja ideologjike si platformë politike për ta shkëputur çdo element me traditën e shkollës shqiptare. Të gjitha analizat në këtë promemorie u bënë nga pikëpamja marksiste-leniniste. Të gjitha lëndët pedagogjike, filozofike, shoqërore dhe ato shkencore tash duhej shikuar vetëm nga ky prizëm gjë që në masë të madhe e dëmtoi shkollën dhe arsimin shqip. Mësimi dhe edukata trajtohen si armë të fuqishme për të ndërtuar shoqërinë socialiste, për të çuar përpara prodhimin socialist, për të zhvilluar kulturën socialiste etj. Edhe koncepti "shkollë" zbërthehej gjithashtu në dritën e filozofisë marksiste-leniniste si pjesë e superstrukturës. Në këtë kuadër analizohet gjendja e shkollave të paraçlirimit, kriteret feudale dhe borgjeze të brendisë së tyre, përmbajtja idealiste e lëndëve, vija ideologjike dhe pedagogjike e huaj për shkollën shqiptare duke u zëvendësuar tash me ideologji, që nuk kanë ngurruar ta thonë "autoktone shqiptare" socialiste marksiste-leniniste thuaja se u poll socializmi nga shqiptarët. Kështu u përpoqën të bënin shartimin e shkollës shqipe me atë sovjetike duke sakatosur traditën mijëvjeçare të kulturës kombëtare.
Sipas fjalimit të Enver Hoxhës thënë në këtë promemorie shkolla shqipe duhet shikuar në prizmin e dialektikës materialiste, problemin e transformimeve që do të pësojë shkolla në stade të ndryshme duke theksuar se mund të ndryshojnë forma, struktura, përmbajtja, por jo filozofia materialiste marksiste-leniniste, që udhëheq atë në çdo transformim dhe që është shtylla vertebrore e saj.
Padyshim "Fjala e 7 Marsit" është njëra nga dokumentet më të mëdha të cilat i shkaktuan dëmin kolosal shkollës dhe arsimit shqiptar duke i stagnuar shumë pikëpamje shkencore të cilat tash duhej të shikoheshin vetëm sipas "mendimit pedagogjik marksist-leninist të tipit shqiptar". Në saje të kësaj platforme filloi nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë "DISKUTIMI POPULLOR PËR REVOLUCIONARIZIMIN E MËTEJSHËM TE SHKOLLËS SONË" që u zhvillua për më se një vit në gjithë Shqipërinë, duke pasur si platformë politike pikëpamjet e Enver Hoxhës, që i shtroi në Fjalën programatike të 7 Marsit 1968, mbajtur para Byrosë Politike të KQ të PPSH. Gjatë këtyre diskutimeve masive morën pjesë mësues dhe nxënës, prindër, specialistë, kuadro të arsimit e të kulturës, punonjës të të gjitha fushave. U organizuan mbledhje, konsulta, seminare e kurse të ndryshme ku u bënë mijëra diskutime, që nuk lanë pjesëz koncepti pa goditur, duke e shkëputur definitivisht shkollën e re socialiste nga tradita e vjetër popullore për arsimin dhe edukatën.
Dita e Mësuesit që përkon me datën 7 Mars 1887, në vete ngërthen dy koncepte kryesore: E para, tradita e shkollës shqipe të ketë historik tepër të shkurtër, që përkon me pikëpamjet sllave mbi lashtësinë shqiptare në Ballkan gjë që përputhet edhe me mentalitetin sllav të komunistit Enver Hoxha dhe bashkëmendimtarëve të tij, dhe së dyti, të gjitha pikëpamjet dhe koncepti të jetë me origjinë sllave (socialiste) në mënyrë që mësuesi të zhvishet nga çdo ndjenjë shqiptare.
Edhe sivjet, 7 Marsi u cilësua si datë që përkon me rastin e 113 vjetorin e hapjes së Shkollës së parë Shqipe, (shih mjetet tona të informacionit publik), kurse faktet flasin të kundërtën. Tani më Kosova u bë me institucionet vendimmarrëse për shumë çështje me rëndësi edhe në fushën e shkencës dhe të arsimit, prandaj ajo duhet të vendos për shumë çështje me rëndësi të veçantë siç është edhe 7 Marsi e njohur si Dita e Mësuesit.
Mendoj se tani më me krijimin e Qeverisë, janë pjekur kushtet që si njëri nga prioritetet më të rëndësishme për Ministrin Shtetëror të Arsimit Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, (kuptohet në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe me: Arkivin e Kosovës, Institutet e Gjuhësisë dhe atë të Historisë, Institutin Albanologjik, Entin Pedagogjik dhe institucionet relevante nëpër Komuna të tjera), të merren seriozisht me datat historike, toponimet e ndryshme, emërtimet e caktuara, shpallja e titujve të nderit dhe asi për heroizma, për persona të caktuar, vendosja e monumenteve të caktuara të cilat më shumë janë bërë nënë ndikimin e emocioneve euforike se sa duke u bazuar në aspektin shkencor, historik dhe atë tradicional.
Këto çështje duhet shoshitur mirë të merren vendime në institucionet përkatëse, pastaj për çështje të caktuara dhe me rëndësi të përbashkët të konsultohen shkencëtarët më të shquar të Kosovës, si shtresa elite e Kombit pa i harruar as personalitetet e mbarë hapësirës kombëtare. Tashmë kushtet janë të volitshme që ky vendim (dhe vendime të tjera) të thuhen bashkërisht.