Apolonia nuk ka mundur të shfrytëzojë faktorin fushë dhe të arrijë një rezultat shpresëdhënës për arritjen e synimit që ka: mbijetesën në Superiore. Në humbjen e pësuar nga Vllaznia, me rezultatin 1-3, fierakët i kanë vështirësuar akoma më tej pozitat e tyre. Megjithëse kanë luajtur mirë, ata nuk kanë mundur të arrijnë një rezultat pozitiv, aq më tepër që këtë ndeshje e kanë mbyllur me 9 lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Muçaj dhe mbrojtësit Nako. Nga ana tjetër shkodranët, edhe pse kanë fituar, nuk kanë bindur me lojën e tyre, sidomos në pjesën e parë, kur djemtë e Artan
Bushatit nuk funksionuan si duhet dhe vetëm në 45- minutëshin e dytë arritën të ishin konkretë.
APOLONIA - VLLAZNIA 1-3
APOLONIA: Cakoviç, Cimili, Nako, Atanda, Ndoni, Adekunle, Muçaj, Thankgod, Ribaj, Dautaj (Papa 63′), Dushku (Hazizaj 77′). Trajner: Elidon Demiraj
VLLAZNIA: Vujodinoviç, Smajli, Semina, Begaj (Shtubina 62′), Belisha, Tafili, Bardulla, Beqiri, Dragoi, Hajdari (Deliç 90′), Gjini (Rexha 46′). Trajner: Artan Bushati
Golat: 76′ Ribaj (p), Hajdari 71′, Smajli 80′ (p), Rexha 90+3′
Vëzhgues: Astrit Mema (Gjirokastër)
Delegat: Kristaq Toçi (Durrës)
Kartonë të verdhë: Muçaj 16′, Thankgod 71′, Ndoni 80′, Hajdari 25′
Kartonë të kuq: Muçaj 58′, Nako 85′
Gjygjqtarët: Lorenc Jemini, E.Barushi, D.Myftaraj
Minutat kyqe
11′ Ribaj kontrollon topin, futet brenda zonës së Vllaznisë, gjuan fort diagonal me portën. Portieri Vujodinoviç grushton duke e devijuar topin në korne.
17′ Muçaj pason për Dushkun, i cili në hyrje të zonës gjuan dhe portieri pret në zhytje e sipër.
26′ Dragoi depërton bukur me topin dhe pasi shmang një mbrojtës fierak pason te Hajdari, i cili gjuan nga një distancë prej 18 m, Cakoviç e devijon topin në korne.
35′ Adenkule jep një pasim të bukur për Thankgod, i cili në hyrje të zonës, paksa diagonal nga krahu i majtë, gjuan mjaft bukur, por po kaq e bukur është dhe pritja e Vujodinoviçit.
44′ Vllaznia i afrohet golit, por gjuajtjen e fortë të Hajdarit e ka penguar shtylla e djathtë pingule që të shënojë.
48′ Goditje këndi për Apoloninë, topi harkohet në zonë dhe Ndoni, i ardhur në ndihmë të sulmit me kokë, gjuan duke qethur shtyllën e majtë pingule dhe përfundon jashtë portës shkodrane.
55′ Beqiri, sapo kalon rrethin e mesit të fushës, duke parë daljen e portierit Cakoviç, gjuan, por pa mundur ta dërgojë topin në rrjetë, pasi portieri fierak e devijon me vështirësi në korne.
58′ Muçaj, i cili ishte i ndëshkuar me të verdhë në minutën e 16-të, dylufton në gjysmëfushën e tij me një futbollist shkodran. Sipas gjyqtarit, lojtari fierak ka ndërhyrë në mënyrë të gabuar dhe i nxjerr kartonin e dytë të verdhë dhe, si rrjedhojë, automatikisht të kuqin.
67′ Rexha, pasi driblon dy lojtarë fierakë, gjuan, por topi përplaset në shtyllën e krahut të majtë të portierit Cakoviç.
71′ Hajdari pas një topi të marrë nga Beqiri, i ndodhur brenda zonës, gjuan duke e dërguar topin në rrjetë, 0-1.
76′ Ribaj ndërmerr një aksion vetjak, futet në zonë, por mbrojtësi Semina e ndërpret në mënyrë të gabuar dhe gjyqtari akordon penallti. Është vetë sulmuesi fierak, i cili gjuan nga pika e bardhë saktë dhe topi, pasi përplaset në shtyllën e djathtë, shkon në rrjetë dhe 1-1.
80′ Një lëmsh i ngatërruar në zonën fierake, shumë lojtarë pranë topit dhe gjyqtari akordon penallti në favor të Vllaznisë. Gjuan Smajli nga pika e bardhë dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-2.
82′ Hajdari kalon dy mbrojtës fierakë, por jo portierin që del nga porta, ndërhyn me guxim e siguri, duke e larguar topin nga këmbët e sulmuesit shkodran.
85′ Është mbrojtësi Nako, i cili pasi ka pasuar topin, niset me shpejtësi për të shkuar në pozicionin e tij, por gjatë veprimit përplaset me një futbollist shkodran dhe gjyqtari ndërpret lojën dhe e ndëshkon me kartonin e kuq.
90+3′ Rexha shfrytëzon mjaft mirë një pasim të Dragoit, gjuan saktë dhe shënon golin e tretë për ekipin, që vulos dhe fitoren përfundimtare, 1-3.
Pjesa e parë: Takimi filloi i qetë, ndërsa të dyja skuadrat e qarkullonin topin dendur në mesfushë, por dhe me gabime të shumta në pasime. Mirëpo me kalimin e minutave, Apolonia, që nuk ka se çfarë të humbasë, përmirëson ndjeshëm lojën e saj dhe me anë të sulmeve të organizuara fillon të piketojë portën e Vujadinoviçit me anë të Ribajt tepër të lëvizshëm dhe Dushkut. Fierakët janë më të qartë në lojën e tyre, më të kujdesshëm dhe insistojnë te shënimi i golit të avantazhit. Nga ana tjetër, te Vllaznia duket sikur diçka nuk shkon. Loja e saj është anemike, lojtarët gabojnë dhe e teprojnë me mbajtjen e topit. Megjithatë, ata nuk harrojnë dhe të kundërsulmojnë rrallë, por rrezikshëm, duke e vënë në pozitë të vështirë mbrojtjen fierake dhe portierin Cakoviç. Pjesa e parë mbyllet me një rast shënimi për shkodranët, kur Hajdari pas një gjuajtje të fortë ka goditur shtyllën e portës fierake.
Pjesa e dytë: Fraksioni i dytë është më i bukur, pasi trajnerët i kishin orientuar lojtarët drejt lojës sulmuese, por dhe të kujdesshme në mbrojtje. Loja fiton një ritëm të kënaqshëm, ndërsa sulmet dhe kundërsulmet në drejtim të portave respektive ndjekin njëra-tjetrën. Më të qartë duken fierakët në minutat e para, të cilët e zhvendosin lojën në gjysmëfushën shkodrane dhe kërkojnë me insistim golin e avantazhit. Ndërkohë Vllaznia, e cila ka futur në lojë Rexhën në vend të Gjinit, jo vetëm mbrohet mirë, por tashmë fillon të kundërsulmojë rrezikshëm duke i dhënë rëndësi lojës në krahë, ku duhet përmendur Dragoi, si dhe Hajdari. Ata i afrohen edhe golit, por portieri fierak pret dhe grushton mjaft mirë. Tashmë shkodranët kanë dhe epërsinë e një lojtari më shumë në fushë, mbas daljes me karton të kuq të mesfushorit fierak Muçaj. Golat – Në minutën e 70-të Hajdari korrigjon shënjestrën e tij me një gjuajtje të befasishme në hyrje të zonës dhe e dërgon topin drejtpërsëdrejti në rrjetë, 0-1. Fierakët reagojnë fuqishëm. Sulmet e tyre janë të rrezikshme dhe në minutën e 76-të ata fitojnë të drejtën e ekzekutimit të një penalltie, të cilën e gjuan Ribaj duke e përplasur topin në shtyllë e në rrjetë. Askush nuk kënaqet me barazimin, ndaj dhe loja fiton më shumë ritëm, më shumë emocione. Sulme e kundërsulme. Ndërkohë, atë që nuk arrijnë ta bëjnë fierakët, e bëjnë shkodranët, të cilët në minutën e 80-të fitojnë një penallti, e cila pati protesta të shumta nga fierakët. Gjithsesi Smajli, i cili ka gjuajtur nga pika e bardhë, e ka dërguar topin në rrjetë. Ky gol i çorienton disi fierakët dhe reagimi i tyre është i dobët, kjo edhe për shkak se janë me një lojtar më pak në fushë. Sakaq, në minutën e 85- të Apolonia detyrohet të luajë me 9 lojtarë, pas daljes me karton të kuq edhe të mbrojtësit Nako. Kjo e bën më të lehtë çdo gjë për fierakët, të cilët në minutën e 90+3 shënojnë dhe golin e tretë, i cili vulos rezultatin përfundimtar të këtij takimi me anë të Rexhës.