Një grindje e çastit në një nga lokalet e fshatit Barbullush për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi. Një nga klientët e lokalit ka qëlluar me breshëri automatiku pasi pronari e nxori jashtë. Sipas Policisë së Shkodrës, 32-vjeçari Shpëtim Gërmaj, njëri nga klientët e lokalit, pasi është nxjerrë përjashta nga pronari i lokalit, është kthyer më pas me një automatik dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të tij ku ndodheshin rreth 10 persona. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur të dëmtuar, vetëm një person është
plagosur lehtë, edhe ai nga ciflat e xhamit që janë thyer nga plumbat e automatikut. Policia ka shpallur në kërkim protagonistin e kësaj ngjarjeje. Sikurse mësohet nga burime pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, pasditen e së mërkurës, në një nga lokalet e fshatit Barbullush të komunës Bushat, një nga klientët e lokalit, 32-vjeçari Shpëtim Gërmaj, është grindur në pije e sipër me disa klientë të tjerë. Gjatë grindjes ai ka nxjerrë një thikë, të cilën e kishte me vete dhe me të ka filluar të kërcënojë personat me të cilët ishte konfliktuar. Në ato momente ka ndërhyrë pronari i lokalit, i cili e ka nxjerrë përjashta të riun. Ky i fundit nuk e ka lënë punën me kaq, por ka shkuar në banesën e tij, ka marrë një armë zjarri automatike dhe është kthyer përsëri duke gjuajtur nga jashtë me armën e zjarrit në drejtim të lokalit. Brenda në lokal në atë moment kanë qenë rreth 10 persona. Klientët e lokalit, sapo kanë dëgjuar të shtënat e armës, janë shtrirë menjëherë përtokë për t’iu shpëtuar plumbave. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar rëndë. I vetmi person që ka marrë lëndime të lehta ka qenë 26-vjeçari Frederik Bardhi, i cili u godit nga copat e xhamave. Pas marrjes së mjekimit në spitalin e qytetit ai i ka lënë ambientet e tij. Ndërsa autori Shpëtim Gërmaj është larguar në drejtim të paditur së bashku me armën e zjarrit, pa u ndalur nga policia. Tashmë Policia e Shkodrës e ka shpallur Gërmajn person në kërkim, pasi ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale të “vrasjes së kryer në rrethana cilësuara, ndaj dy ose më shumë personave, e ngelur në tentativë”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.