Peshkimi i paligjshëm rrezikon ripërtëritjen e peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna, megjithëse janë shpallur zona të mbrojtura.
Çdo natë në këtë liqen shikon varka peshkatarësh, të cilët lëvizin në liqen me gjenerator duke peshkuar, edhe pse kjo është e ndaluar me ligj.
Periudha mars - maj është koha gjatë së cilës peshku bën lëshimin e vezëve, sidomos në Liqenin e Shkodrës, i cili është ujëmbledhësi më i madh në Ballkan. Megjithate peshkatarët vazhdojnë punën e tyre natën, ku përgjatë bregut, dëgjon zhurmën e gjeneratorëve.
Peshkimi me korrent është gjithnjë i dëmshëm për
peshkun, por sidomos gjatë kësaj periudhe të kohës së shumimit të tij, pasi e dëmton atë që në vezë.
Personat që peshkojnë me korrent, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre të paligjshme. Pamjet e transmetuara sot në TV A1 REPORT! tregojnë se askush nuk i ndalon këta persona të vazhdojnë peshkimin me gjeneratorë.
Ky fenomen i ka fillesat në fillim të viteve ‘90-të dhe erdhi duke u bërë më i mprehtë gjatë viteve në vazhdim, me rritjen e numrit të personave që ushtrojnë peshkimin në ujërat e liqenit dhe të lumit.
Me sa duket fenomeni do të zhduket deri në momentin kur shteti nuk do të ndërhyjë më vetëm vendime e takime, por me masa konkrete ndaj “peshkatarëve”, dëmtues të peshkut.
Për vite me radhë, gjuetia e paligjshme me mjete dëmtuese të peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna, ka alarmuar mjaft shoqata mjedisore, të cilat me anë të specialistëve të tyre kanë arritur në përfundimin se ky lloj peshkimi i bërë për vite me radhë, ka dëmtuar ndjeshëm rezervat e peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna