Pagine

March 3, 2013

Luigj Gurakuqi, liberal-demokrati më i madh shqiptar

Ç’kanë thënë për të Fan Noli, Eqrem bej Vlora, Sejfi Vllamasi, dhe akuzat si italofil.


Luigj Gurakuqi është lindur më 19 shkurt 1879, në qytetin e Shkodrës, në gjirin e një familjeje tregtare dhe të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Shkollën fillore dhe një pjesë të shkollës së mesme i kreu në Kolegjin Saverian, në Shkodër. Më pas, kur mbushi moshën 18 vjeçare, Luigji la kolegjin dhe shkoi për të studiuar jashtë vendit duke u cilësuar nxënësi i parë shqiptar i kolegjit arbëresh Shën Adriano, të Shën Dhimitër Koronës. Aty patin fatin e mirë të edukohet nga atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gaspër Mërturi dhe një nga themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, arbëreshi i madh Jeronim De Rada. Studimet universitare i ka kryer në qytetin e Napolit, Itali, në vitet 1901-1906, ku u diplomua në shkencat biologjike.

Luigj Gurakuqi
Ç’kanë thënë për të Fan Noli, Eqrem bej Vlora, Sejfi Vllamasi, dhe akuzat si italofil.
Luigj Gurakuqi zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten,
italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. I frymëzuar nga mësimet e rilindësve dhe i djegur nga malli e dëshira e zjarrtë për të parë të lirë vendlindjen, ai u përfshi shpejt në vorbullën e publicistikës. Qysh kur ishte në bankat e shkollës së lartë, botoi poezi e publicistikë me pseudonimet “Cakin Shkodra” dhe “Lekë Gruda”. Shkrimet e tij u botuan në gazetat e revistat e asaj kohe, si “Albania”, “Drita”, “Kalendari Kombëtar”, “Liria e Shqipërisë” dhe “La Nazione Albanese”. Kjo veprimtari atdhetare e Luigj Gurakuqit shqetësoi së tepërmi pallatin e Julldisit, që bëri të pamundurën për të larguar atdhetarin nga Napoli, gjë që e detyroi të mërgojë.
Më 1905, ka botuar në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me shënime n’dy dialektet”. Gjithashtu, botoi në Napoli “Fjalorth shqip-frëngjisht e frëngjisht-shqip” i fjalëve të reja dhe më 1906 “Vargëzimi n’gjuhën shqipe”.
Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar pas vitit 1906. Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në veri të Shqipërisë.
Më 1908, kur në Shqipëri u vendos Hyrieti, Gurakuqi u kthye në atdhe dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Në këtë kohë ai aktivizohet fuqimisht në lëvizjen kombëtare për pavarësinë e vendit, duke u shquar ndër të gjithë patriotët e asaj kohe. Falë këtyre përpjekjeve dhe aftësive të tij intelektuale e patriotike, Gurakuqi merr pjesë (përkrah Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Ndre Mjedës, Bajo Topullit, Simon Shuteriqit, etj.) në kongresin e Manastirit, më 1908, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.
Së bashku me Ismail Qemalin udhëtuan nga Stambolli për në Bukuresht, ku u takuan me koloninë shqiptare atje dhe vendosën së bashku të krijonin një komitet drejtues që të merrte në dorë qeverisjen e vendit, një komision që do të bisedonte me fuqitë e mëdha dhe një komitet tjetër në Bukuresht që do të koordinonte veprimet e këtyre komiteteve. Gurakuqi ka marrë pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, gjatë rrugës për ardhjen në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë. Gjatë këtij udhëtimi ka qenë i pranishëm me Ismail beun, në takimin e Vjenës, me ministrin e Jashtëm austro-hungarez Bercthold dhe me ambasadorë të shteteve të tjera, duke siguruar një mbështetje të plotë të interesave shqiptare dhe mëvetësisë së saj.
Ai ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë dhe krahu i djathtë i plakut të urtë të Vlorës, diplomatit Ismail Qemali. Më 1912, Luigj Gurakuqi theksonte kërkesën se: “pa u realizuar autonomia, shqiptarët nuk do të pushojnë së ngrituri krye…Sot më tepër se kurrë lipset të përkujdesemi për jetën tonë…sot që ushtria xhonturke po hedh armët e po bie në dorë si deshët e që flota e Xhemijetit…nuk po ka turp të rrijë e fshehur brenda Dardaneleve si minjtë ndëpër vërë nga frika e maces…Turqia si e vdekur që është, pa fjalë se “çpejtë do të groposet. Në daçim që të mos na groposin edhe neve me të bashkë që më të gjallë, duhet të ndahemi një or’e më parë”.
Në kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912, Gurakuqi u zgjodh sekretar i parë i Kuvendit të Vlorës, kurse Shefqet Daiu i dytë. Dora e artë e patriotit të arsimuar Luigj Gurakuqi shkroi në altarin e shenjtërimit të pavarësisë së vendit të shqipeve vendimin historik të bijve të saj atdhetarë, të mbledhur vullnetarisht në kuvendin e dytë kombëtar, në Vlorën heroike, nëpërmjet të cilit shpallej se: “Shqipënia më sot do të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”, ku nënshkroi edhe ai si firmëtar i dokumentit. Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë.
Sapo u shpall akti i pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, i ka telegrafuar “London Times” në Vjenë, duke nënshkruar “sekretar i përgjithshëm i Asamblesë”. Pas shpalljes së aktit të pavarësisë, në funksionin “Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë”, u ka dërguar njoftimin e mëposhtëm gazetave më kryesore të Evropës: Giornale d’Italia (Roma), La Tribuna (Roma), Il Mattino (Napoli), Corriere dela Sera (Milano), La Stampa (Torino), London Times (Vjenë), Fremdenblatt (Vjenë), Zeit (Vjenë), Reichspost (Vjenë), Ëiboral Piçolo (Trieste) Le Temps (Paris), Echo de Paris (Paris), Le Matin (Paris) dhe Ëestminster Gazette (London), duke përmendur se: Asambleja Kombëtare e përbame prej delegatësh të gjithë viseve të Shqipniës pa dallim feje, e mbledhun sot në Vlonë, shpalli Indipendencen e Shqipniës edhe ngrehi nji Qeverrië të Përkohshme me kryetar Ismail Qemal Benë .
Në mbledhjen e tretë të kuvendit të Vlorës, nisur nga nevoja për shkrues, përveç atij dhe Shefqet Daiu, Gurakuqi kërkoi shtimin e tyre dhe me këtë rast u zgjodhën Mustafa Kruja dhe Dhimitër Berati.
Në votimin e kuvendit për ministrat fitoi që në raundin e parë pothuajse të gjitha votat e delegatëve, 54 nga 58 që ishin prezent dhe që morën pjesë në votim, ku u rendit i pari. Në qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi është ministri i parë i arsimit shqip. Mori masa fillimisht për të hapur disa shkolla në fshatrat e Vlorës, si në Dukat, Kaninë, Kullas e Smokthinë, ku shquheshin një grup mësuesish atdhetarë. Nga prilli deri në mesin e qershorit 1913, Luigj Gurakuqi ka qenë në Londër me Ismail Qemalin, në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës, e cila copëtoi trojet shqiptare në të mirë të fqinjëve shovinistë antishqiptarë.
Më 6 shtator 1913, Gurakuqi u bëri thirrje të gjithë atyre që ishin të aftë të kryenin detyrën e mësuesit të ndihmonin arsimin e ri kombëtar shqiptar, ndërsa më 13 shtator nxori urdhëresën për hapjen e shkollave në të gjithë vendin, duke sqaruar se edhe shkollat private do të kontrolloheshin nga shteti, duke bërë të ditur se shkollat e huaja në vend do të lejoheshin në raste shumë të rralla . Model i arsimimit shqip u bë shkolla katërvjeçare me katër klasa të para paralele, drejtuar nga patrioti Jani Minga, me 130 nxënës, nga të cilët vetëm 15 ishin të krishterë; krahas saj u hapën shkolla tre-vjeçare në Kaninë me 45 nxënës dhe në Dukat me 70 nxënës, në Drashovicë e në Tragjas u hapën shkolla dy-vjeçare, përkatësisht me 20 dhe 30 nxënës, ndërsa në fshatrat e tjerë të Vlorës u planifikua të hapeshin shkolla në vijim.
Luigj Gurakuqi është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të lëvizjes sonë kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Si ministër i parë i arsimit shqiptar, ai punoi që e gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare.
Së bashku me Ismail Qemalin kanë qenë dakord në parim që kandidat për fronin e princit në Shqipëri të ishte Dukë de Monpansie, nga familja e Burbonëve francezë dhe pasanik i madh, por nuk kanë mundur të sigurojnë miratimin e Londrës dhe të Parisit për këtë ambicion të francezit.
Në luftën e Rrashbullit, në vitin 1914, Luigj Gurakuqi ka qenë me grupin e nacionalistëve, në mbrojtje të qeverisë së Ëied-it, së bashku me Sejfi Vllamasin, Bajram Fevziun, Rauf Ficon, Ceno Sharrën nga Vlora, Muço Qullin, Mehmet Dërallën, e të tjerë patriotë, dhe ka mbetur rob më duar të kryengritësve, por pas pak kohësh ka mundur të lirohet prej tyre.
Pas largimit të Ëied-it nga Shqipëria ka shkuar në Shkodër dhe është bashkuar me familjen e tij. Në këtë rast në Shkodër u bashkuan shumica e patriotëve të larguar nga Durrësi e viset e tjera të Shqipërisë, të cilët ishin të rrezikuar pas marrjes së pushtetit prej Esad Toptanit dhe situatat e rrezikshme që krijoi Lufta e Parë Botërore. Në këtë periudhë është kritikuar nga S. Vllamasi për qëndrimin e tij indiferent ndaj shokëve që ka pasur në qeverinë e Vlorës dhe të Ëied-it, se nuk i ka ndihmuar ekonomikisht, mbasi, sipas tij, ka pasur një mundësi të tillë.
Më 15 korrik 1915, është arrestuar nga forcat ushtarake të Veshoviqit dhe bashkë me patriotë e personalitete politike të tjerë shqiptarë është internuar në Cetinë. Së bashku me Preng Bibë Dodë Pashën, Fejzi Alizotin, Aqif pashë Elbasanin, Seid pashën (Toptanin-H.L.), më 28 kallënduer 1916, nga Cetina, ku ishin të internuar prej autoriteteve ushtarake të Malit të Zi, u proklamuan shqiptarëve: “…sod t’tanë shqyptarët t’bashkuemun m’nji mende e zembër pa ndryshim fejet, e kan me detyrë me e pritun ushtrin Austro-Ungare, si rojtës e librues, e do t’detyrohena për ndimë t’këtii baamirësit për zhvillim ashtu edhe për t’kenunit t’atdhees t’onë. Me u çue t’gjithë e me punue nën projë t’parris sundimtare t’ushtriis Austro-Ungare…”.
Është kthyer në Shqipëri në vitin 1916, kur trupat austro-hungarezë pushtuan Malin e Zi. Luigj Gurakuqi ka punuar në administratën qendrore shqiptare të formuar nga Austria, duke kryer detyrën e drejtorit të përgjithshëm të arsimit, periudhë gjatë së cilës ka kontribuar pa masë për hapjen e shumë shkollave shqipe. Këtë mundësi ia ka krijuar Fejzi Alizoti, duke ia rekomanduar August Karlit, në atë kohë konsull i përgjithshëm dhe ekspert për çështjen shqiptare. Fakti që Gurakuqi, falë aftësive të tij dhe intelektit të lartë që kishte, u bë më i pëlqyeshëm te austriakët, ngjalli xhelozi te Alizoti dhe rivalitet ndërmjet Alizotit e Gurakuqit.
Më 1916, së bashku me Sotir Pecin dhe doktor Pekmezin, kanë krijuar një komision letrar, ku Luigji ishte nismëtari i themelimit të Komisisë Letrare në Shkodër.
Në nëntor 1918, pas marrjes së Shkodrës në zotërim e kontroll nga ushtria franceze (në fakt ai është konsideruar pushtim), së bashku me administratën shqiptare që punonte me austriakët (Preng pashën, Fejzi Alizotin dhe Avni Dabullën) janë larguar fshehurazi nga Shkodra dhe kanë shkuar në Lezhë. Këtu janë përpjekur të mbledhin një kongres, që të merreshin hapat e duhura për zgjidhjen e fateve të vendit, por ndërhyrja e Italisë ua prishi mendjen. Në këtë rast, në mirëkuptim me Fejzi Alizotin dhe Avni Dabullën kanë shkuar në Romë, ku ishin mbledhur Mufit Libohova, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja dhe shqiptarë të tjerë italofilë. Grupi i sipërpërmendur kishte arritur përpara tyre në Itali dhe prej tyre ishte marrë vendimi që kongresi i ëndërruar të mblidhej në Durrës, i cili do të krijonte një qeveri të përkohshme për të zgjidhur fatet e vendit. Në kongresin e Durrësit, Luigj Gurakuqi zëvendësoi Preng Bib Dodë Pashën si delegat i Shkodrës, ngaqë ai nuk pati mundësi të mbërrinte aty në kohë.
Gurakuqi është shprehur në mbledhjen e delegatëve se ne shqiptarët nuk duhej të ishim as grekë, as serbë e as italianë, por vetëm shqiptarë. Gjatë diskutimeve në kongres për lirinë fetare është shprehur se ajo duhej zgjidhur sipas formulës “feja e lirë në shtet të lirë”. Po kështu, i ka kërkuar kongresit që t’i dërgohej një falënderim fuqive të mëdha të marrëveshjes, që përpiqeshin për triumfin e të drejtave dhe mbrojtjen e kombeve të vegjël dhe të “madhit Uillson e senatorit Lodge”.
Gurakuqi mori pjesë në kongresin e Durrësit më 1918, ku u zgjodh ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme. Gjithashtu, përveç se është emëruar anëtar i kësaj qeverie, ai është caktuar në përbërje të delegacionit qeveritar që mori pjesë në konferencën e Paqes në Paris, duke pasur përkrah kryeministrin Turhan pasha, Imzot Luigj Bumçin, dr.Turtullin, Mehmet Konicën dhe si ekspert Patër Gjergj Fishtën. Është vlerësuar si shpirti i delegacionit, ndonëse ka ndjekur politikë proteksioniste, për protektoratin e Italisë.
Më 11 shkurt 1920, nga Parisi, ku ishte pjesëmarrës zyrtar i qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes, në Paris, së bashku me zotërinjtë: Luigj Bumçi, Dr. M. Turtulli, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, mbështeti zhvillimin e kongresit të Lushnjës, duke u shprehur se duhet “t’i shtrohemi menjëherë vullnetit të ligjshëm të popullit e të qëndrojmë këtu deri sa të emnohet Dërgata e re, të cilës do t’i dorëzojmë llogaritë e arshivat”. Gurakuqi ka nënshkruar një letër “Për kryetarin e Dërgatës Shqiptare”, në Paris, dërguar Dhimitër Beratit, lidhur më kongresin e Lushnjës, ku shpreh përkrahjen ndaj kongresit dhe një tjetër letër sigluar së bashku me Luigj Bumçin, drejtuar Mufid Libohovës dhe Fejzi Alizotit, ku kërkojnë që edhe ata të bashkohen me mendimet e dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes së Parisit.
Në periudhën 1921-1924, ai qe zgjedhur deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Në këtë periudhë Luigji kryen disa herë detyrën e ministrit në kabinetet qeveritare, dhe konkretisht: i arsimit, financave (kabineti i Shefqet Vërlacit në vitin 1923), madje dhe ministër i Brendshëm në kabinetin njëditor të Qazim Koculit dhe atij 6-ditor të Hasan Prishtinës. Detyrën e ministrit të Brendshëm e ka kryer në periudhën 6-12 dhjetor 1921, pra vetëm 7 ditë.
Gurakuqi ka qenë caktuar ministër i Brendshëm në kabinetin një ditor të Qazim Koculit, ku kanë qenë caktuar edhe Hoxhë Kadriu (ministër i Drejtësisë), Zija Dibra (ministër i Luftës), Atë Fan Noli (ministër i Jashtëm), Ahmet Dakli (ministër i Financave), Haki Tefik Tirana (ministër i Arsimit), Koço Tasi (ministër i Punëve Botore), etj. Ky kabinet ka qenë firmosur nga Aqif pashë Elbasani dhe monsinjor Bumçi.
Gurakuqi ka shërbyer në kabinete qeveritare kur Zogu me njerëzit e tij bënin ligjin në vend. Caktimi i Gurakuqit në këto poste bëhej për të zbutur acarimet politike ndërmjet kaheve ekstreme të politikës në atë periudhë. Kështu ndodhi edhe pas largimit të Zogut nga pushteti, pas plagosjes së tij në shkurt 1924, ku Luigji së bashku me Nolin morën poste ministrore. “Më 13 maj (1924-H.L.) Luigj Gurakuqi dha dorëheqjen, duke paraqitur si arsye faktin se qeveria (Shefqet Vërlacit-H.L.) nuk gëzonte më besimin e Asamblesë”. Gjatë këtyre viteve Gurakuqi ishte një nga kundërshtarët e shtresës së feudalëve vendas, ndër të cilët rreshtohej edhe Ahmet Zogu. Në këto kundërshti të tij, Luigj Gurakuqi, kishte përkrahjen e zjarrtë dhe oratorinë magjepse të Fan Nolit.
Në qershorin e vitit 1924, Gurakuqi ishte një ndër udhëheqësit më aktivë të revolucionit demokratik-borgjez. Në qeverinë e Nolit mori postin e ministrit të Financave. Në kohën që ishte në qeverinë e Nolit kishte në patronazh prefekturën e Shkodrës. Më 23 dhjetor 1924, ka shkuar në Shkodër me qëllim që të mbledhë e të organizojë vullnetarë për të mbrojtur qeverinë e Nolit, duke bashkëpunuar me Mustafa Krujën, i cili në atë kohë ishte prefekt në këtë qark. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, ai emigroi në Itali, për të mos u kthyer më i gjallë pranë tokës mëmë dhe nënës së djegur në shpirt për ta pasur afër. Luigji nuk mundi të jetojë gjatë, mbasi më 2 mars 1925, ndërsa dilte nga hoteli Kavur, ia morën jetën plumbat që dolën nga arma e djalit të tezes së tij. Dora mizore e Baltjon Stambollës nuk u dridh të shtrinte përdhe kushëririn e tij, kundrejt shpërblimit të dhënë nga kundërshtarët e Luigjit 46-vjeçar. Shkodranët e moçëm kanë pas treguar se, kur u varros e ama e ngratë kishte pranë kokës fotografinë e të birit të vrarë, sipas amanetit që kishte lënë. Vrasja Gurakuqit i quhet dorës të Ceno beg Kryeziut, kunatit të Ahmet Zogut. Kostandin Boshnjaku, ndër të tjera ka shkruar se: “…të gjithë e dimë se Gurakuqin e vrau regjimi feudal i Shqipërisë…Gurakuqin, pra, e vrau ay regjim, që kryesohet sot prej Ahmet Zogut, si vrau dhe shumë të tjerë burra që dilnin prej popullit dhe që kanë mbrojtur të drejtat e popullit, domethënë të vegjëlisë” .

Akuza e vlerësime për Luigj Gurakuqin.

Gurakuqi italofil, i dënuar me burgim të përjetshëm. Për këtë akuzë duhet sqaruar se Luigji ka qenë dënuar që herët prej regjimeve turke me burgim të përjetshëm për pikëpamjet e tij atdhetare e liberal-perëndimore dhe veprimtarinë patriotike. Është kritikuar ashpër nga Fuat Dibra, në fillim të vitit 1919, i cili e akuzonte rëndë si përgjegjës kryesor për politikën proitaliane që ndiqte qeveria provizore e Durrësit. Në një letër dërguar Hasan Bekteshit, Fuadi pati shkruar: “Zoti këtë njeri të mallkuar e paska krijuar për të zezën e këtij vendi”.
Edhe Faik Konica, ndonëse i vëllai, Mehmeti, i kritikuar si italofil, e ka akuzuar Gurakuqin se vepronte sipas urdhrave të konsullatës italiane. Sejfi Vllamasi, i cili ka qenë i njohur haptazi si kundërshtar i Luigjit, duke vlerësuar Gurakuqin në këndvështrimin e tij, është shprehur se: “Gurakuqi i zgjuar dhe me kulturë ka patur cilësirat e një profesori dhe të një sekretari të mirë. Ai si anëtar qeverie, në Kabinetin e Ismail Qemalit, në Vlorë, kur mungonin personat që e zotëronin mirë gjuhën kombëtare, i ka kryer mirë punët e kualitetit të dytë. Ashtu edhe në konferencën e Paqes në Paris, i përgatiste shkresat e memorandumet, të cilat, pasi kalonin nëpër duart e Kastoldit, i paraqiteshin konferencës. Gurakuqi s’ka qenë i krijuar për politikë e për burrë shteti. Ai s’ka qenë i vendosur dhe s’ka pasur besim as në veten e tij as edhe në popullin shqiptar. Ai i shmangej përgjegjësisë direkte, që është cilësia më kryesore e një burrit të shtetit…Gurakuqi, përveç Kasëm Qafëzezit dhe Sulejman Delvinës, ka qenë drejtuesi i vërtetë i qeverisë së Nolit dhe, sikur të kishte pak sensin e politikës dhe vullnetin e mjaftueshëm, ai me shokët e tij nuk do të bënin ato gafa trashanike dhe atë politikë misqine që përfunduan me invadimin e Shqipërisë nga ana e Zogut” .
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Luigj Gurakuqi qe një meteor, një flakadan i çështjes kombëtare shqiptare. Në moshën 29 vjeçare e kishte namin shumë më të madh se motet që mbante në shpinë, vigan liberator, që shkriu gjithë jetën për atdheun e popullin e vet, orator i parlamentit (të parë) shqiptar gjatë viteve 1921-1924. Nga miqtë e tij është cilësuar “shembull i kohës”, “idhull i të rinjve shkodranë”, “nxënës i zellshëm i De Radës”, “burrë simpatik”, “i vendosur në qëllimet e tij”, “orator i lindur për urinë e tribunave popullore”, “i lindur me fatin për t’i shërbyer një rilindjeje të re të kombit”, etj.
F. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn vdekur”, ku “klithma” e tij brengosëse dhe vajtuese ngushëllon Shqipërinë për birin e vrarë, kur thërret: “Nëno moj, vajto, merr malin, / Larot t’a përmbysnë djalin / Që me Ismail Qemalin ngriti flamur trimëror. / Nëno moj, ç’është përpjekur / Gojë-mjalt’ e zemër-hekur, / Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur, / Ky Vigan Liberator”.
Noli në të tjera shkrime e ka vlerësuar: “Gurakuqi si pionier i qytetarisë oksidentale në Shqipëri. Nga shqiptarët e pakët që thëthitnë mirë kulturën e perëndimit, Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë dhe më rëndë për të mbjellur farën e saj në Shqipëri”.
Në një letër dërguar drejtorit të gazetës “Dielli”, në Boston, më 26 gusht 1925, Noli shkroi: “…unë s’kuxonj të matem me të as sot, as nesër…Zoti Faik Konica është i mendjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besonj. Po edhe sikur të jet’ e vërtetë e kam e do ta kem për nder. Ishte mjaft i math sa të kishte vegla si mua”.
Noli e ka cilësuar Gurakuqin “veteran i çështjes, pothuaj 30 vjet në shesh të nderit paprerë, ka vënë në shërbim të atdheut tërë forcën dhe jetën e tij…ka qenë liberal gjithnjë në fjalë dhe në punë, sikundër provohet nga rekordi (gjykimi) i tij në parlament e në qeveri, dhe ishte mjaft i zoti sa t’i hiqte shokët e zgjedhësit e tij në udhën e liberalizmës e të përparimit,…qëndronte aq larg fanatizmës…”.
Sipas Nolit, “Gurakuqi ishte kryepajtonjës e kryekëshilltar; rrinte lark kryengritjeve dhe s’hynte nër to veç kur e zvarnisnin shokët me pahir; ishte brenda me çdo kompromizë dhe përpjekje pajtimi; u jipte gjithnjë këshilla kundërshtarëve, dhe këshillat që i predikon sot Faik Konica Ahmet Zogollit, ia ka thënë më atë bukuri dhe me atë shenjtëri në parlament Gurakuqi nja dy vjet e ca më parë” .
Noli ka vlerësuar Gurakuqin besimtar të respektuar nga të gjitha besimet, mbasi ai “qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut kishin një besim të pakufishëm”, aq sa në Gegeni, “s’ka patur një tjetër udhëheqës, i cili…bashkonte rreth vetes së tij, katolikët e muhamedanët gegë…Ai ka qenë aq pak regjionalist sa që kur lindi çështja kombëtare s’ka pasur një gegë patriot, aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi”.
Hasan Prishtina, mbi varrin e Luigj Gurakuqit është betuar: “Eh! Lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Fli i qetë Gurakuq, se shpagen tande do ta marrim dhe lulëzimin e përparimin e Shqipërisë do ta realizojmë!”.
Të afërmit, miqtë e shokët e vlerësojnë Luigjin “atdhetar, politikan, demokrat, intelektual me kulturë të gjerë, reformator, poet, gjuhëtar, pedagog, ekonomist i shkëlqyer, krenaria e Shkodrës dhe e Shqipërisë, martir i çështjes kombëtare”.
Gjergj Fishta, në një përshkrim të delegacionit shqiptar në konferencën e Paqes në Paris, pati shkruar: “Asht e kot të gënjehemi. Nëse përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të sajë së mëparshmes, qoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë”. Gjithashtu, ky kolos i letërsisë shqipe, Gjergj Fishta, i ka dedikuar një shkrim të posaçëm dhe e ka quajtur “shqiptar i vlefshëm dhe ndera e djelmnisë shkodrane”.
Hilë Mosi, ashtu si Filip Shiroka, e ka quajtur “bylbyl” në tingëllimin që i kushton: “S’këndon bylbyli”.
Patër Anton Harapi, në veprën e tij kryesore “Andrra e Pertashit” (Urti e burrni ndër banorët e Cemit), duke ia kushtuar Gurakuqit shkruan: “Burrit t’vërtetë burrë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e në(a)ltë shpirtërore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar, idealisti shkëlqyeshëm në vorfni”.
Eqerem bej Vlora, duke kujtuar ngjarjet që ndodhen në qeverisjen e dytë të Iljaz Vrionit, përmend: “Ndërkohë atdhetarë të njohur e të shquar ndërmorën edhe veprime serioze. Në krye të këtyre të fundit qëndronin Hasan bej Prishtina, Mustafa Merlika-Kruja dhe Luigj Gurakuqi. Ata themeluan një “lëvizje” të re me emrin e bujshëm “Lidhja e shenjtë”, programi i së cilës synonte t’u jepte fund të gjithë këtyre intrigave të vockla dhe autorëve të tyre. Gjithë marrëzia ataviste e popullit shqiptar ishte përqendruar tanimë tek elementet që qeverisnin këtë shtet.
Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij ka vlerësuar Gurakuqin: “Tirana në vjeshtë-dimrin 1923-1924 nuk të ofronte siç vazhdojnë të besojnë edhe sot disa fantastë, pamjen e një qendre liberale, demokratike, por në rastin më të mirë të një çerdheje mjerane intrigash, ku nga mëngjesi në darkë zhvillonin punët e tyre të errëta llafazanët dhe cubat armëvringëllitës…Luigj Gurakuqi një shqiptar i shkolluar dhe i jashtëzakonshëm i asaj kohe, i shprehu me këto fjalë të qëlluara dyshimet e tij: “Si mund të jeni kaq budallenj dhe të besoni se Eqrem beu mund të kalojë ndonjë ditë në anën tonë? Si mund të besoni se ai, përparimet e rëndomta të të cilit në shkallën e ulët të gjimnazit, i njoftoheshin telegrafisht të jatit nga Ministria e Jashtme p. dhe m. Në Vjenë, do të bëhet, befas, demokrat? Ai është aristokrati më i shkolluar dhe më i regjur nga të gjithë: po të ishte nevoja, qoftë edhe kundër pikëpamjeve të veta, ai do të bashkohej edhe me djallin, mjaft që ta na kundërvihej neve!. Në kohën e pushtimit austriak, “Burra si Luigj Gurakuqi (drejtor i arsimit) dhe Fejzi bej Alizoti (drejtor i financave) arritën rezultate shumë të mira në dikasteret e tyre.
Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Mihal Grameno i shkruante atij me 24 korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.
Vlerësohet nga ish-bashkëkohësit e tij për zgjuarsinë që e karakterizonte, kulturën e lartë që zotëronte, shprehjen dhe oratorinë magjepsëse, sjelljen specifike e me mirësjellje të lartë.
Noli, S. Vinjau dhe K. Tasi e kanë vlerësuar në maksimumin e duhur dhe e kanë pasur kurdoherë mik të ngushtë. Të katër këta persona patën krijuar kuadrumviratin e nivelit të lartë, duke besuar se ishin të aftë të rregullonin shtetin dhe si ndërmjetës për t’i transmetuar qytetërimin perëndimor popullit shqiptar primitiv e në shumicën më të madhe mysliman.
Ardian Ndreca, aktualisht profesor filozofie në Universitetin “Urbanian”, Romë, ka vlerësuar Gurakuqin si njëri “prej djemve ma të mirë që pat nxjerrë ndonjiherë Shqipnija”, “nji figurë e domosdoshme në nji kohë që irracionalja sundonte mendjet e zemrat e shqiptarve”, “nuk ishte nji njeri që i ndezte nji qiri djallit e nji tjetër Zotit”, “ishte i bindun në fitoren e pushtetit me anën e mjeteve demokratike”.
Me oratorinë e tij të lindur për kuvende, për kundër disa pseudohistorianëve të sotëm, shërbëtorë të politikave partiake dhe mohues të vlerave të njerëzve të shquar, ai ka këmbëngulur për të zbatuar në praktikën e ndërtimit të shtetit ndarjen e pushteteve, qysh në fillimet e ndërtimit të shtetit të ri shqiptar.
Luigj Gurakuqi na ka lënë një përvojë të pasur për jetën parlamentare, ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ai kishte vlerësim e besim të madh te parlamenti, ligji e vota e lirë e popullit. Gurakuqi ka pasur koncepte të qarta perëndimore edhe për rolin e qeverisë, duke e cilësuar si “organi ma i naltë i pushtetit ekzekutiv”, por duke bërë edhe diferencën me kuvendin si “organi ma i naltë i pushtetit ligjvanës”, dhe duke lënë për të kuptuar qartë se qeveria nxjerr urdhra dhe “urdhnat ministror, nuk janë nome”. Ai shprehej se qeveria përveçse duhet të gëzojë përkrahjen e shumicës parlamentare “duhet të sillet njëlloj për të gjithë, nuk duhet të ketë dy masë e dy peshime”. Luigji ka qenë për administratë të aftë dhe të kufizuar në numër, “të jetë si nji maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotë, nëpunës të paguem mirë, por të marrun me konkurs”. Konceptet e Gurakuqit për shtetformimin nuk lënë në harresë pushtetin gjyqësor, drejtësia, madje ai ka theksuar se “drejtësia duhet të mbajë gjithmonë parasysh terezinë e Perëndeshës Temi, e cila nuk varesh kurrë as me njanën, as me tjetrën anë”.
Në vizionin e tij kishte kohë që trasohej një Shqipëri moderne dhe e barabartë në familjen e madhe të vendeve evropiane. Veprimtaria e Luigj Gurakuqit është e lidhur me historinë e shtetit të ri shqiptar, mbasi ai ishte njëri prej themeluesve më të rëndësishëm të këtij shteti. Si politikan e burrë shteti, Gurakuqi ishte liberal-demokrat. Flitet se kur në Parlament, Ali Këlcyra i bëri vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji qe përgjigjur: “Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I faleminderit dhe mund të jetë i sigurt zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”.

Pse Gurakuqi nuk u anëtarësua kurrë në partinë e Fan Nolit.

Flitet se Luigj Gurakuqi nuk ka qenë ndër frymëzuesit e revolucionit të qershorit, ndonëse ai ju bashkua këtij revolucioni dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave, gjë e cila është konfirmuar edhe nga S. Vinjau pas revolucionit. Sipas Patër Anton Harapit, “kur ka filluar revolucioni i qershorit, bashkë me Luigjin po punonin për nxjerrjen e numrit të gazetës “Ora e Maleve”, por një telegram nga Vlora e njoftoi për fillimin e revolucionit. Përfshirja e tij në këtë revolucion është një nga ato momente kur Gurakuqi është shmangur nga parimet e tij liberal-demokrate”.
Edhe Sejfi Vlamasit ka shkruar se Noli dhe Gurakuqi s’kanë qenë për kryengritje, por më vonë i përfshiu edhe ata rryma e manisë kolektive. Sipas Vllamasit, kanë qenë Ali Këlcyra dhe Qazim Koculi që u treguan më të pikëlluar se të gjithë të tjerët nga vrasja e A. Rustemit dhe kërkonin pa vonesë të rrëmbenin armët për kryengritje. Madje, duhet theksuar se, në ato ditë Gurakuqi nuk ka qenë në Tiranë, por së bashku me asamblistët e Shkodrës është kthyer në vendlindjen e tij. Në mbledhjet e bëra nga organizatorët e kryengritjes ka qenë vënë kushti që pas fitores Shkodra do të bëhet kryeqytet i vendit.
Personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat edhe në fushën e diplomacisë. Ai qe përfaqësues i Shqipërisë kur vendoseshin fatet e saj në ballafaqimet diplomatike në qendrat më të mëdha të politikës evropiane, si në Londër më 1913, me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, në Romë, në Vjenë, në Paris më 1919, me delegacionin e qeverisë së Durrësit dhe në Gjenevë më 1924, në Lidhjen e Kombeve me Fan Nolin.
Ai ishte politikan me një vizion kombëtar. Ndër fjalimet më të spikatura të Gurakuqit në Parlament kanë qenë ato për mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave, në një telegram, e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim, është shprehur: “Si mundte me thanë një qeveri (jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e brendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shofim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nëpër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë”.
Luigj Gurakuqi i ka kushtuar shumë kujdes problemit të fesë dhe të marrëdhënieve në mes shqiptarëve me besime të ndryshme fetare, bashkimit të tyre në “fenë e shqiptarisë” dhe të sigurimit të mirëkuptimit e të tolerancës ndërfetare. Që në mbledhjen e parë të kongresit të Durrësit, më 1919, L. Gurakuqi kërkoi që çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipëri duhet të zgjidhet sipas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. Ai qe shprehur: “Përveç se çashtje, që i përket ndërgjegjes së njeriut, feja asht nji e mirë, asht nji ndihmë e madhe edhe për jetën e kësaj bote. Parimet e fes, të ndjekuna mirë, i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që t’i shërbejnë atdheut, qi t’u shtrohen ligjeve të Shtetit” . Vlen të evidentohet fakti se, Luigj Gurakuqi, ka qenë besimtar. Luigji shprehej shpesh se: “Zoti është qenie që s’ka as fillim e as mbarim, se asgjë nuk mund të krahasohet me të”, apo theksimi se: “çdo gjë në këtë botë është krijim dhe dhuratë e perëndisë”, tek sa shprehej se: “…qielli e toka, fushat e gjana, malet e nalta, detrat e mëdhana, t’gjitha prej Zotit patën krijim, qi s’di masë me vedi, fill as mbarim”. Përveç kësaj ai ka shkruar se “Zoti i madh dhe i vërtetë ka në dorë fatin e njerëzimit e të popujve, ai din gjithçka, bën gjithçka dhe sheh gjithçka”. Në një vend tjetër ka shkruar “Parimet e fesë të ndjekuna mirë, i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që t’i shërbejnë atdheut, që t’u nënshtrohen ligjeve të shtetit”.
Është fakt se, Gurakuqi, gjatë gjithë jetës së tij pati relacione të shkëlqyera me të gjithë ata drejtues të komuniteteve fetare që luftonin për një Shqipëri të lirë. Kjo materializohet edhe nga një letër që Abati i Mirditës, Preng Doçi, më 26.9.1913, i ka dërguar Luigjit, ministër i Arsimit të qeverisë së përkohshme në Vlorë, e cila bën fjalë për telegramin e tij me tekstin e poshtë cituar: “Të lutem epi zemër komisionit të meetingut të Vlonës e shtrëngoi dorën kryetarit të Qeveriës së përtashme për bashkim e të lidhun besë që kemi me ta në të gjitha punët e mbara për ngallnimin e lulëzimin të Shqypëniës. Sot asht dita me këqyrun edhe shqypëtarët kundërshtarë, si vëllazën e me mënyra vëllazënore me i avitun nga mprojtja e atdheut nën hije t’Ismail Qemal begut e t’atyne burrave qi njohin e nderojnë Flamurin e Shqypëniës…”.

Veprimtaria letrare.

Luigj Gurakuqi ka qenë një ndër luftëtarët më aktiv për vendosjen e fatit të gjuhës shqipe në kongresin e Manastirit. Gjatë gjithë jetës ai ka qenë pishtar i dijes dhe arsimit në shkollë. Veprimtaria letrare e Luigj Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907 dhe shkrimet e tij mundën të botohen në një vëllim të vetëm në vitin 1941. Janë të njohura vjershat “Qëndresa”, “Deka e Zanave”, si dhe vjersha për të vegjlit, botuar në “Këndime”, në vitin 1912.
Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh.
Si krijues Gurakuqi pati relacione të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta Luigj Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Preng Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa”, ku gërshetohen edhe elemente autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit. Gurakuqi është ndër të parët që parashtroi kërkesën “të ngrihet mjeshtëria” artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik. Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906).
Edhe si publicist L. Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Si stilist i shquar ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.
Luigj Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist dhe orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

Kritika letrare përmend se vjersha e shkurtër prej dhjetë vargjesh, mbasi dy prej tyre përsëriten si refren, titulluar “Shqiptarëve lidhë n’besë” nuk figuron në asnjë përmbledhje poetike të deritanishme të Gurakuqit, në Shqipëri dhe në diasporë. Për pasojë mungon në të gjitha antologjitë, ku poeti përfaqësohet në krijime të tjera si “Shqypja e Burrit”, “Qindresa”, “Dallëndyshes” apo “Deka e zanave”. E botuar për herë të parë në Bruksel, tek “Albania” e Konicës , poezia kaloi pa rënë në sy të kritikëve dhe të studiuesve, ndoshta sepse u shfaq në një revistë të përmuajshme dhe jo në një libër me qarkullim shumë më të gjatë. E megjithatë ajo jep bukur e saktë, përmes thjeshtësisë së jashtme e tensionit të brendshëm, gjendjen e Shqipërisë në atë kohë, kur autori ishte vetëm njëzet vjeç. Strofa poshtëshënuar kulmon mendimin politik e fuqinë poetike të Luigjit, por shpreh edhe realitetin e dhimbshëm të Shqipërisë “coptueme prej t’hujve”, dhe njëherazi tregon pasurinë shpirtërore e xhepat “e grisur” të ish ministrit të financave, kur shkruan: “Për të gjithë an’ jemi rrethue / Anmiqt kqyrin me u avitë: / Do’ tokt’ tona me i zaptue / Don’ krejt fare me na qitë. / Në sulm tonë’ pushka s’na pret / S’na rren parja, i bim shqelm arit / N’luft’ tuj dekun për vend t’ vet / Si me le i bahet shqiptarit”.

Në vitin 1913, atdhetari i shquar Luigj Gurakuqi ka botuar artikullin “Mvehtësia e Shqipëniës”, duke kujtuar ditën e shenjtë të 28 nëntorit 1912. Në këtë artikull spikatin reale edhe sot shprehjet e tij lapidar (me shkurtime nga H.L.), të cituara më poshtë: “E andërrueme nga vjershëtorët e dëshiruem, nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin të dirgjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekun e të dëbuem nga atdheu i dashun, mëvehtësia e Shqipëniës na dukej të gjithëve si një dëshir i paarrijshëm, si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfëninë t’onë, si një pemë e ambëlë e shijëshme, të cilën Perëndia u a kishte ndalue shqipëtarëvet të mjerë…Dëshirin e tyne të flaktë e ruanin e ushqenin në thelbin e zemravet të veta, andrrën e tyne të lulëzuarë e fshihnin në thellësinën e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t’a arrinin ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mendjen, qetësinë e trupit e gjanë, e jetën e vet! …në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerësvet ndodhin hera-herë disa rasa të papandehuna, që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i prisnin as nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimeve e të ligavet të panjehuna, na solli edhe një të mirë të pashpresuarë e të paçmuarshme, domethanë, lirinë, bashkimin, mvehtësiën e Atdheut!…Shqipënia, që, po m’ato ditë, kishte dalë nga një kryengritje e rrebtë e përgjakshme, ndodhej e lodhunë e papregatitunë e gjendej në rrezik të math. Viset e saja u shkelën, pothuaj të gjitha nga të huajt e bijat e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t’ia mbanin. Perëndia nuk e kishte thanë që të shuhej fare plangu jetik i burrit e i Skanderbegut, që të shuhej nga faqja e botës kombi shqipëtar i vjetër, e po m’atëherë, kur anmiqtë tanë na kishin dënue për vdekje e po përgatiteshin të ndanin copa-copa atdheun t’onë të shtrenjtë, ata, që ushqenin në zemrat e tyne idealin e mvehtësisë, rrokën flamurin të kuq e të zi në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët e ardhunë prej viseve t’ona nxorën Shqipërinë më vehte, të lirë e të bashkueme…në këtë ditë fatëbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqipëtarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një. Duke kujtue e duke kremtue ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi, e duke sjellun përparasysh rreziket e tmerrëshme, që i vareshin atdheut përmbi krye, e shpëtimin t’onë të çuditshëm, ta forsojmë dashuninë e vëllezëninë e t’i japim dorën njëni-tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtue mvehtësiën e Shqipëniësë sonë të dashun. T’a dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës…Të betohemi pra edhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë, t’i bajmë therore përpara altarit t’Adheut anmiqësitë e smirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemër që të përpiqemi e të punojmë tok, si vëllezër që jemi, për të shërue plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne, që qajnë e rënkojnë mbi brenget e visevet të veta, që u ndanë nga trupi i Atdheut të përbashkëm”.

Shënime të tjera.

Ndonëse Gurakuqi ka qenë mik i ngushtë i Nolit, ka refuzuar propozimin e bërë nga përfaqësuesit e Partisë Popullore që të aderonte në këtë parti. Ai nuk braktisi grupin e deputetëve të Shkodrës e të Kosovës, për t’iu bashkuar Partisë Përparimtare. Së bashku me Hilë Mosin, kanë dashur të mbeteshin të lirë në aktivitetin e tyre politik.
Vlen të theksohet se Gurakuqi nuk ka pranuar të marrë pjesë edhe në “Konare”, ku kishin aderuar njerëz me tendenca të ndryshme, si Noli, Merlika, Koculi, Riza Dani e Xhevat Korça. Në këtë rast është mbështetur edhe nga Angjelin Suma e Xhemal Bushati. Pas ca kohësh pjesëtarë të Partisë Popullore si Musa Juka, Rexhep Mitrovica, Kolë Thaçi, etj. u bashkuan me Zogun në Partinë Popullore, ndërsa Mustafa Kruja e Gjergj Fishta u bashkuan me Gurakuqin në Partinë Përparimtare.
Ashtu sikurse Sejfi Vllamasi, Gurakuqi ka kërkuar nga qeveria të falet shoku i tij i ngushtë Mustafa Kruja, i cili ndodhej në mërgim. Një kërkesë e tillë është bërë në prag të zgjedhjeve të dyta parlamentare, ku ndërmjetës ka qenë Qemal Vrioni, i cili ka mundur të bëjë Zogun që të pranojë marrëveshjen, duke synuar të zbutë luftën elektorale në vend.
Duke përshëndetur me rastin e pritjes së djemve kosovarë, të cilët i kishte dërguar Hasan Prishtina (16 vetë), ka theksuar: “Gjithë sa herë na vijnë djem nga vise të ndryshme të Shqipërisë zemra e jonë kënaqet e mallëngjehet, shpirti i ynë gëzohet e dëfren, pse kështu shohim se shkolla Normale jo vetëm po përparon si shkollë, por edhe po i afrohet gjithnjë e për ditë e ma tepër qëllimit për të cilën asht ngrehur. Kjo shkollë duhet të jetë qendra e arsimit kombëtar, këtu jo vetëm do të jepet mësim e dituri, po do të trajtohet, do të përmirësohet e do të përnjëshmohet edhe karakteri i kombit shqiptar, këtej nuk do të dalin vetëm njerëz të ditur, po mësonjësa, ma mirë, apostuj të nxehtë e të vullnetshëm, që bashkë me diturinë, do të përhapin nder më të larktat vise të atdheut edhe ndjenja kombëtare. Mësonjësi shqyptar duhet të gdhendë jo vetëm mendjen e popullit të mjerë po t’ushqejë edhe zembrënë e tij, të ngjallnjë në shpirt të tij shpirtin e dashurinë e së mirës e t’a vejë kështu në udhë të përparimit. Tek ju e kemi shpresën pra o djelm të ardhur nga gjithë viset e Shqypnis që të viheni n’udhë që të mund të bëheni një ditë apostujt e kombit t’onë. Për këtë qëllim ju keni lanë vendet e shtëpiat t’uaj, shtroni pra rregullës, bini prapa këndimit, duani shoku me shok ashtu si vëllezër që jeni. Kjo shkollë që të jetë për ju si një fushë nderi, ku të përpiqeni dita me ditën që të fitoni mësim, dituri e t’i përgjigjeni dëshirit të shtëpiavet t’uaja e të vendit t’onë. Ju djelmt e Kosovës pastaj e keni për detyrë t’i shpërbleni me sjelljen t’uaj të mirë, të ndershmit Hasan bej Prishtina nderin e math që po ju ban, po këtij i kemi detyrë të gjithë, pse ky burrë i vlertë po përpiqet e nuk po kursen sot aspak vedin që të mbrojnë kombësiën t’onë kundrë armiqvet, që duan të na prishin gjuhën e të përmbajnë (pengojnë) përparimin e arsimit ndër ne. Dyke u sjellur mirë, dyke i vunë mendjen mësimit, dyke i ranë pas këshillat t’ona ju do të fitoni të mirën t’uaj, do të baheni ndihmë e shtëpiavet t’uaja, do të jeni shtyll e Shqipëris s’onë të dashurë!”.

Piktori i merituar Kel Kodheli ka kompozuar një pikturë në vaj mbi karton, që ka fiksuar kthimin në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, me 2 korrik 1908, të cilën e ka dërguar në shtëpinë muze “Luigj Gurakuqi”, që me krijimin e saj me 19 shkurt 1964. Mesazhi i pikturës është kthimi në atdhe.
Për Gurakuqin kanë shkruar shumë studiues, ndër të cilët edhe Piro Tako, i cili shënoi: “Flitet se kur Luigji u kthye nga dëbimi, u prit me entuziazëm dhe madhështi nga i gjithë populli shkodran, aq sa të rinjtë shkodranë, në Parrucë, shmprehen kuajt dhe e tërhoqën karrocën të gjithë bashkë deri në lulishten në qendër të qytetit. Në këtë vend, pra në “Lulishten Popullore”, në Shkodër, Luigji ka një përmendore që Noli do ta quante të denjë për një Mesi”.
Gjithashtu, duhet theksuar se emri i tij gjendet i gdhendur nëpër disa rrugë të qyteteve shqiptare, në shkolla të ndryshme, në muzeume, në libra shkollorë e historikë, etj.

Lazër Shantoja, miku i Luigjit, ka shkruar për vrasjen e Gurakuqit shkrimin e mëposhtëm (me shkurtime-nga H. L.): Me humbjen e Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit mbyllet nji epope e madhnueshme e këputet për gjysë nji hymn i naltë! …si vdes Luigj Gurakuqi? Vritet në dhe t’huej, vritet tinzisht mbas dere të nji hoteli, vritet prej nji krimineli, vagabond…Luigj Gurakuqi shnderohet jo vetë, por mbytet për së dytishi prej asajë qeverie për të cilën, i shuëmi, kje gjithmonë i akuzuem se ushqente ndiesiëna ma se miqësore. Gjyqi i Tranit,-shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botore-na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye veprën e diktatorit të Tiranës, të Zogut. Zogu nëmosë e vrau Gurakuqin me kubure, me armën e barbarizmës e të padrejtësiës, Mussolini na e vrau me gjyqë… me armën e civilizimit e të drejtësiës! Nuk mjaftoi lirimi i plotë i kriminelit të poshtër; drejtësia italjane i intonon nji apologië sakrilege gjaksorit e fërfllon nji të fyeme trashamane mbi viktimën. Se mund të quhet nji Baltjon Stambolla Avni Rustem e nji Luigj Gurakuqi Esad Pashë… unë për vedi s’e kishe pritë kurr as prej nji advokatit italjan! Por procesi i Luigj Gurakuqit nuk mbaron me vendimin e ndyet të gjyqit të Tranit. Gurakuqi asht nji dillë qi shndritë me dritën e tij dhe nuk mund të shkimet me të tana ndyesiënat e poshtërsiënat e nji politike të pashpirtë. Gjyqin mbi Luigj Gurakuqin do t’a bajë e ka me e ba kombi shqiptar, dhe dy ndër esponenta të tij ma në za kanë fillue qyshë tash të kryejnë detyrën e tyne. Artikulli magjistral i z. S. Vinjaut e letra fisnike e Imzot Nolit-kunorat ma të çmueshme të vuemuna deri më sot mbi vorrin e atij të Madhit-janë shprehja ma e sinqertë e gjykimit të popullit shqiptar. Ato dy shkresa na pikturojnë patriotin e kulluar e fituesin e rekordit në fushatën e nacjonalizmës. Ky kje Luigj Gurakuqi! Shka mund të shtojë tash pënda e eme e vogël?… E kam gjetun gjithmonë e gjithkund të madh pa madhnië, të naltë e të përvujtë, të thellë e të kjartë, të luftuemun e kurr të shtruemun, trim por pa petulancë, të kulturuem por pa reklamë. Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrini jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe e të lume. Për arritjen e këtij ideali, motori gjithmonë në lëvizje qi drejtonte të tanë jetën e tij, sakrifikoi andjet e jetes ma t’ambëlat, prirjet e natyrës ma të fortat. Kurrë spektator sibarit prej së largu, por i zhytun perherë mbrendë në gjiret rrezikplote të politikës, i falun krejt çashtjes kombëtare, u çvesh në gjasimin e nji atleti, prej çëdo pengimi qi mund të ndalonte o vetëm t’influenconte vrapin e rrymen qi kishte marrë. Luigj Gurakuqi nuk gëzoi kurr votrën e shpiës: e ama, i vllaj, e motrat e dishruenë për së gjalli. Kishte mujtë porsi letrar e poetë gjentil me gëzue nemosë paq e pushim nën mrizat plot hije të zanavet. Nuk mujt: nuk pat nji minutë të vehten. Kje ba, sidomos në kohën e fundit, porsi nji fjaluer i domosdoshëm qi do t’u konsultonte pa pra e prej gjithkuej. Tash me nji ministër, mbandej me nji malcuer, ma vonë me nji shoq, nji herë me nji përfaqësojsë t’huej, nji tjetër me nji gazetar: në mbledhje, në komisjone, në zyrë, në parlament, në rrugë, tue ecë, tue ndejë, tue ngranë, Luigj Gurakuqin e ke gjetë gjithmonë tue folë. Gurakuqi ishte njeri me fulqit e hekurit. Fjala i delte e rrjedhshme, e kadalshme, e mbatun, e kjartë, e kandshme, e bukur. Vetëm prezenca e tij të sugjestjononte. Porsi nji luftar i mirë qi nuk gjindet kurr pa fyshekë, ishte kurdoherë i pregatitun me gjegjë e me dhanë arësye. Luigj Gurakuqi ishte ba nji arsenal politik në Shqipënië. Kje ndër të pakët, për mos me thanë ndër të vetmit shqiptar, qi me njoftimin e plotë të popullit përgjithsisht e të visevet të ndryshme të Shqipëniës, bashkonte edhe njoftjen e këthellë të tanë njerzvet politik të sajë, të tana kohnavet e të tana ngjyrëvet. E njifte jetën e tyne në detajet ma t’imta e ma t’msheftat; nuk i kishte pshtue as ma i errti fakt, as ma e vogla rrethanë. Ishte i zoti të dishmonte, pa droje përgënjështrimi, si sakrificët e heroizmat e patriotvet ashtu edhe poshtërsiënat e shakllabanavet e intrigat e trathtorvet. Rjedhë e natyrshme e kësajë njoftje ishte prudenca e jashtëzakonshme e tij…Sado t’a çmojmë Gurakuqin, nuk mundemi n’asnji mënyrë t’a përjashtojmë prej ligjvet universale të natyrës njerzore. Njeri qi nuk mund të gabojë nuk ka lindë ene (ende-H. L.). Por këqyrun përgjithsisht prudenca e tij ka me mbetë nji gurë themelor në politikën e jetën shqiptare…Luigj Gurakuqi kje ura e arit e bashkimit kombëtar. Gurakuqi, shkodranë katolik, asht Gurakuqi i të tanë Shqipëniës! Aj dijti me u dhanë shpirtë natyravet ma të ngathta e me u ndalë hovin ekstremistavet ma të shtyemun. Kje idealist i naltë dhe realist pedant për nji herit…po shtoj vetëm se virtytet morale e politike të tija i dhanë në pak kohë nji popullaritet të bindueshëm. Gurakuqi, kryetari i opozitës shqiptare kje pa dyshim njeriu ma popullor i Shqipëniës. Populli pau në të leader-in e tij, mishnimin e shpirtit, të nevojvet e t’aspiracjonevet të tija. Dalun prej popullit, jetoi, pësoi, luftoi, vdiq në rrugë të madhe për popull. “Në të tanë jeten t’eme-tha-nuk kam kenë i zoti kurr t’a gëzoj nanën me nji facoletë!”…Ministri i financavet të Shqipëniës vdes me 400 lireta të marruna uha, të gjetura-si shkruen Vinjau-në do petka të grista qi mbëloshin nji bark të pangimun! Çëdo apologië del e zbetë para dritës së nji fakti kaq elokvent. Ky njeri nuk asht ma! Trupi i tij rrxohet i përgjakun tu dera e hotel Cavour, dhe kur ndihet krismja katastrofale e armës së trathtiës e kur merret vesht se tre plumat e revolverit të tiranvet kishin shpue zëmbren e Luigj Gurakuqit, atje…Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgërdhimun satanik u qet me pië satelitvet të gëzueshem tue u thanë: tash nuk drue ma kënd! Nga shtallat e Amerikes nji kal i terbuem, Faik bej Konitsa, hingllon i paturpshem e qet shqelmat ma të mramët e ma të ndyetët mbi kufomën e nji të vdekunit..Populli shqiptar vën futen e zezë e kjanë…” .
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 240, datë 17.07.1947 i janë shpronësuar tërësisht, pa shpërblim, të gjitha mjediset e shtypshkronjës “Gurakuqi”, së bashku me trojet, pronë e të ndjerit Luigj Gurakuqi.
Në nderimet e bëra Luigj Gurakuqit nga qeveria shqiptare, Universiteti i Shkodrës përjetëson emrin e tij.
Luigj Gurakuqi është nderuar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.
Shtëpia e Gurakuqëve, në lagjen Gjuhadol, në Shkodër, për vite me radhe ka qenë kthyer në muze. Shtëpia e tij ishte dikur qendër muzeale. Brenda në shtëpinë muze ndër të tjera bie në sy busti i Gurakuqit dhe shumë fotografi e dokumente, si shkrime origjinale të tij, fjalorth, fotografi të Gurakuqit kur qe mes luftëtarëve kosovarë që luftuan kundër Turqisë, relikte që përbëjnë sendet personale të tij të sjella nga miku i tij Gjon Kamsi (ky i ka ruajtur këto për 39 vjet).
Në vitin 1957 eshtrat e tij u kthyen të prehen të qeta në tokën amë, që ai aq shumë e deshi.
Në vitin 1993 i thyhet busti në Shkodër dhe shteti hesht në mbrojtjen e monumenteve dhe të historisë së tij.
Më 24 shkurt 2000, Luigj Gurakuqit i është dhënë titulli i lartë “Nderi i Elbasanit”.

Për heshtjen e shtetit e të qeverisë qendrore shqiptare dhe asaj vendore në Shkodër, Ardian Ndreca proteston: “Në ketë 100 vjetor Luigj Gurakuqi nderohet me harresën ma të plotë, e vendin e tij e kanë zanë do feudalë që jo vetëm s’kanë pasë shkollë e s’kanë dijtë çka asht shkolla shqipe, s’kanë shkrue poezi e s’kanë kultivue metrikën, s’kanë dashtë shtetin shqiptar të pamvarun prej dovletit, s’kanë mundë me pa “flamurin me sorrë” e janë shitë pafundësisht, por thjesht kanë qenë frymorë që si qëllim të vetmin kanë pasë me hangër, me pi e me u riprodhue, mbasi janë pasunue në kurriz të shqiptarëve…Sado të rregullojnë rrugët e fasadat e vjetra Shkodra ka me mbetë nji qytet i vdekun shpirtnisht deri sa të mos mbërrijnë me nderue at’ shpirt që i dha jetë e nder, jo vetëm asaj, por Shqipnisë mbarë. E ai shpirt ka qenë mendja e zemra e Luigj Gurakuqit .

Nga Hilë Lushaku