Pagine

March 20, 2013

News/Rritet niveli i liqenit të Shkodrës, përmbyten dhjetëra shtëpi në Livadhe

Shkodra News/Rritet niveli i liqenit të Shkodrës, përmbyten dhjetëra shtëpi
Rritet niveli i Liqenit të Shkodrës, duke bërë që uji të dalë në pedonalen hyrëse të qytetit si dhe të izolojë dhjetëra shtëpi në Livadhe. Në të njëjtën kohë, uji ka dalë edhe në rrugën e Shirokës.
Kjo situatë pavarësisht pushimit te reshjeve te shiut, është krijuar si pasojë prurjeve të shumta nga Mali i Zi dhe shkarkimet e hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Nëse prurjet vijojnë, rrezikohet bllokimi i rrugës hyrëse në Shkodër.
Por, më problematike situata paraqitet në Livadhe, ku banorët
shprehen se prej 4 ditësh janë tërësisht të izoluar dhe askush nga përfaqësuesit e pushtetit nuk ka ardhur të kujdeset për ta e as për të bërë furnizime me ujë të pijshëm.
Në të dhënat e shtabit të emergjencës, kjo zonë nuk rezultonte si e përmbytur. Ndërkohë banorët shprehen se situata është shqetësuese, dhe kërcënohen nga përmbytje si ato të vitit 2011, ndërsa apelojnë për ndërhyrje emergjente.

Ndërsa uji ka hyrë në disa nga banesat më të ulëta të kësaj zone.Banorët shprehen të frikësuar se për momentin niveli i ujit është deri në 30 cm dhe për të dalë nga shtëpia ato janë të detyraur që të përdorin vetëm çizmet.
Njëkohësisht, situata në zonën e Nënshkodrës vazhdon të jetë pothuaj e njëjtë me ditët e mëparshme.Vijojnë të mbeten nën ujë Oboti, Ana e Malit, Dajci e Bërdica.
Mësohet se në fshatin Shirq uji ka arritur deri në 1 metër, ndërsa në Bardhaj lumi Kir rrezikon të përmbysë rreth 50 banesa. Banorët e fshatit Bardhaj i tremben prurjeve të shumta të lumit dhe për këtë arsye kanë njoftuar edhe Shtabin e Emergjencave.
Ndërkohë në komunën Ana e Malit rezultojnë të izoluara 201 shtëpi, në Dajç janë 30 banesa të rrethuara nga uji, ndërsa në komunën Bërdicë janë 150 shtëpi të izoluara.
Autoritetet bëjnë të ditur se shkarkimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës vijojnë me 700-800 m³/sek.