Pagine

March 15, 2013

News/Në Shkodër rikthehen përmbytjet

Aktualitet, Shkodra Lajme, Shkodra News,
Afro 400 shtëpi janë përmbytur, ndërkohë që të paktën 5 mijë hektarë tokë bujqësore janë mbuluar nga uji pas hapjes së portave të hidrocentraleve, por dhe reshjeve te pandërprera. Situata është përkeqësuar ndjeshëm në fshatin Obot të komunës Ana e Malit. Fshati është izoluar nga niveli i lartë i ujit që shkon në një metër.
Mënyra e vetme e lëvizjes për banorët është nëpërmjet mjeteve të ushtrisë apo varkave.

Shumë prej banorëve kanë braktisur shtëpitë dhe janë larguar bashkë me bagëtitë. Rruga që lidh Shkodrën me Tiranën është e kalueshme, por e bllokuar mbetet Shkodër – Velipojë.
Uji ka vërshuar edhe në lagjet periferike të Shkodrës Bahçallëk, Ajasëm dhe Mark Lula ku janë izoluar mbi 60 shtëpi dhe janë përmbytur 200 hektarë tokë.
Banorët e Bërdicës kanë reaguar pas rikthimit të përmbytjeve duke thënë se: “Nuk u paralajmëruam për këto vërshime ujërash. Nuk e kuptojmë se çfarë po bëhet me ne. Nuk është hera e parë që ne përmbytemi”.

Ata shprehen të irrituar, pasi sipas tyre ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga përmbytjet e vitit 2010.

“Dëmshpërblimet e 2010 nuk na i kanë dhënë ende. Më mirë të na mbysin fare”, kanë apeluar ata.

Sipas Shtabit të Emergjencave niveli i ujit në Shkodër krahasuar me një natë më parë ka rënë me 40%.

Në Vlorë, 10 shtëpi janë përmbytur nga dalja e lumit Vjosë, në fshatin Fitore, ndërsa rrezikohen edhe 300 të tjera.

Si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur edhe rrëshqitje dherash, duke bllokuar kështu akset rrugore Këlcyrë-Përmet dhe Gramsh-Korçë. Në Gjirokastër është shembur rruga Dunavat në lagjen muzeale, që lidh tre lagje të tjera të qytetit, ndërsa në Bulqizë është shembur një urë që lidh katër fshatrat e një komune.