Vepra e sapobotuar në shqip e Baron Franc Nopçës (Franz Baron von Nopcsa), “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe. Me disa veçanti nga krahina e Zadrimës dhe nga Shkodra”, sjell një studim voluminoz mbi besimet dhe legjendat e shqiptarëve të veriut. Nën siglën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Institutit të historisë, kjo vepër e përkthyer nga Dr. Mihal Zallari u redaktua dhe u përgatit për botim nga Akad.Assoc. Marenglen Verli dhe dr.Edmond Malaj, ndërsa teksti original u gjend nga Mihal Zallari në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë.
Vepra trajton dhe paraqet një sërë çështjesh dhe fenomesh në lidhje me besimin popullor shqiptar, mitologjinë (duke përfshirë këtu qoftë figura të Krishterimt dhe të Islamit, qoftë të paganizmit). Me rradhë dhe të shpjeguara mirë na paraqiten këtu qënie metafizike dhe mbinjerëzore, perëndi dhe gjysmëperëndi, djaj, lugetë, perëndesha sëmundjesh, shpirtra të ligjë, etj. etj. Kultet fetare që përdoreshin në atë kohë si veprime fetare të ndryshme, festa fetare, apo edhe parashikime e mënyra mjekimesh që kanë lidhje me religjionin, paraqiten të shpjeguara në mënyrë të qartë.
Zakonet që ishin në fuqi në ato kohra (fillimi i shekullit XX) nëpër dasma dhe nëpër varrime, duke u përqendruar kryesisht në veri, më saktë, në Shkodër dhe në rrethinat e saj, si në Zadrimë dhe Malësinë e Madhe, apo në krahinat e Dukagjinit, etj. zënë një vend tjetër në këtë punim. Krahas përshkrimit analitik të këtyre zakoneve, Nopça na jep edhe një sërë përrallash dhe fabulash, duke e plotësuar kështu sa më mirë panoramën e traditave popullore në lidhje jo vetëm me besimin dhe besëtytnitë, por edhe me mentalitetin e shqiptarëve në atë kohë. Ndër përralla mund të përmend këtu disa prej tyre si: “Djothi dhe Mritha”, “Dashi me lëkurën e artë”, “I vdekuri mirënjohës”, “I pasuri dhe i vobekti”, “Mbretëresha e Helmit”, etj…
***
Franc Nopça lind. në Szacsal afër Hatzeg të Transilvanisë në vitin 1877 dhe vdiq duke vrarë veten në Vjenë më 23 prill të vitit 1933. Ai rridhte nga një familje hungareze aristokrate. Nopça i filloi mësimet e tij në Maria-Theresianum në Vjenë dhe që në fillim u shqua si nxënës i talentuar. Më pas Nopça do të ishte një studjues i njohur në fushën e paleontologjisë, por ai realizoi edhe shumë studime mbi historinë, kulturën, doket dhe zakonet e popullit shqiptar. Në Shqipëri dhe në Ballkan bëri udhëtime të shumta dhe në vitet e para të fillimshekullit XX banoi për disa kohë në Shkodër. Këto udhëtimet ai i ka përshkruar edhe në ditarët e tij. Sipas disa të dhënave për Nopçën, “shtatë ditarët e tij, që nisin me udhëtimin e vitit 1905, janë ekspozuar për herë të parë për publikun në Bibliotekën Kombëtare. Gjashtë prej këtyre dorëshkrimeve, që tregojnë mbi gjeografinë, folklorin, kanunin apo gjuhën, flasin për Shqipërinë, ndërsa i 7-ti për Bullgarinë. Ato u blenë nga Mit’hat Frashëri, ose i njohur ndryshe si Lumo Skëndo, e me pas u konfiskuan nga regjimi komunist për të përfunduar në Bibliotekën Kombëtare”.
Nopça me zellin e një hulumtuesi pasionant mblodhi një material të pasur etnografik në viset shqiptare dhe rezultatet e studimeve i botoi në disa artikuj, si edhe në veprën “Shqipëria- Ndërtime, veshje dhe enë e orendi (Albanien – Bauten, Trachten und Geräte), e cila u botua në Lajpcig në vitin 1902. Ai është ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi edhe të dhënat e arkeologjisë dhe që për analizimin e objekteve të kulturës materiale përdori metodën e krahasimit me vendet e tjera të pellgut mesdhetar dhe të Azisë së Afërme.
***
Përkthyesi i këtij vëllimi, është intelektuali i njohur Mihal Zallari i lindur në Frashër të Përmetit më 1894. Përkthimin e kësaj vepre Zallari e bëri në dialektin e tij, pra në toskërishte, i cili nuk është prekur, me përjashtim të disa formave gramatikore, të cilat janë kthyer në gjuhën letrare, si për shembull “muarë” në “morën”, “vendosnë” në “vendosën”, “dogjnë” në “dogjën”, apo mbaresat e emrave në shumës si për shembull “malevet” në “maleve”, etj., etj. Një pikë tjetër ku është ndërhyrë në përkthim, ka qenë ndarja e disa fjalive të përbëra shumë të gjata, në fjali më të shkurtra, të përshtatshme me sintaksën e gjuhës shqipe. Kjo ndërhyrje është bërë shumë rrallë, vetëm në ato raste, ku kuptimi i fjalisë ishte shumë i vështirë në shqip. Përkthimi i tekstit në fjali të gjata në gjuhën shqipe, ndodh për faktin se Zallari ka studiuar në gjuhën gjermane për një kohë të gjatë, dhe literaturën gjermane duket se e ka pasur literaturë bazë edhe për vitet e mëvonshme dhe kështu, sintaksa e gjermanishtes ndikon shpesh herë në gjuhën e tij shqipe. Gjithsesi shkurtimi i fjalive të përkthimit të Zallarit është bërë me kujdes dhe pa e ekzagjeruar, duke pasur parasysh edhe se si do të ishte thënë fjalia në gjuhën gjermane. Teksti është pajisur në fund edhe me një indeks të emrave të vendeve dhe të personave. Lexuesi në këtë punim lexon përfundimisht versionin shqip që ka përdorur Zallari në përkthimin e tij, sepse ndërhyrjet janë shumë të vogla, dhe nuk cenojnë aspak origjinalitetin e përkthimit të Zallarit, qoftë nga ana leksikologjike, qoftë nga ana sintaksore apo morfologjike.
Mbi jetën e përkthyesit…
Kur Mihal Zallari ishte 12 vjeç, familja emigroi në Stamboll. Në këtë qytet hyri në një seminar gjerman ku mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme. Më 1922 u pranua në Fakultetit e Shkencave Shtetërore në Universitetin e Gracit në Austri (Karl-Franzens-Universität, Graz). Pas kthimit në Atdhe dha mësim në gjimnazin e shtetit në Kryeqytet. Cilësohet nga autoritetet e kohës si antifashist. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore u përfshi në grupin e politikanëve që në periudhën e okupimit gjerman 1943-1944, morën pjesë në organet e qeverisjes. Ishte deputet i Kuvendit Kushtetues që nga 1 tetori 1943, kryetar i këtij kuvendi dhe më pas i parlamentit. Me vendosjen e rregjimit komunist u arrestua dhe u dënua me 30 vjet heqje lirie, me akuza të pavërtetuara, në të ashtuquajturin gjyq special. Doli nga burgu më 28 prill 1962 pasi kishte vuajtur pjesën më të madhe të dënimit në Burrel. U vendos në Tiranë ku punoi disa kohë në ndërmarrjen botuese të kryeqytetit. Vdiq më 17 mars 1976.