Vepra e sapobotuar në shqip e Baron Franc Nopçës (Franz Baron von Nopcsa), “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe. Me disa veçanti nga krahina e Zadrimës dhe nga Shkodra”, sjell një studim voluminoz mbi besimet dhe legjendat e shqiptarëve të veriut. Nën siglën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Institutit të historisë, kjo vepër e përkthyer nga Dr. Mihal Zallari u redaktua dhe u përgatit për botim nga Akad.Assoc. Marenglen Verli dhe dr.Edmond Malaj, ndërsa teksti original u gjend nga Mihal Zallari në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë.
Vepra trajton dhe paraqet një sërë çështjesh dhe fenomesh në lidhje me besimin popullor shqiptar, mitologjinë (duke përfshirë këtu qoftë figura të Krishterimt dhe të Islamit, qoftë të paganizmit). Me rradhë dhe të shpjeguara mirë na paraqiten këtu qënie metafizike dhe mbinjerëzore, perëndi dhe gjysmëperëndi, djaj, lugetë, perëndesha sëmundjesh, shpirtra të ligjë, etj. etj. Kultet fetare që përdoreshin në atë kohë si veprime fetare të ndryshme, festa fetare, apo edhe parashikime e mënyra mjekimesh që kanë lidhje me religjionin, paraqiten të shpjeguara në mënyrë të qartë.
