Pagine

January 30, 2013

Shkodër, bora bllokon komunat e Dukagjinit

Shkodër, bora bllokon komunat e Dukagjinit
Bllokohen plotësisht komunat e zonës së Dukagjinit. Janë mbi 6 mijë banorë që nuk kanë asnjë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit. Prej javësh ato i luten zotit që situata të përmirësohet.

Nuk kanë rrugë të hapura, nuk kanë sinjal telefonik tokësor apo mobil, nuk kanë sinjal televiziv dhe për të mbërritur deri në Shkodër u duhet të paktën gjysmë dite rrugë në këmbë. Ato nuk ngurojën të pohojnë se gjendja e tyre cdo vit e më shumë vështirësohet, sepse askush nuk mban përgjegjësi direkte për mbijetësën e këtyre familjeve. Cështja më madhore është ushqimi.


Shteti nuk siguron më këtë lloj furnizimi duke ua bërë të qartë familjeve se ato vetë duhet të sigurojnë bazën ushqimore. Por një zgjidhje e tillë për banorët e varfër të zonave malore është e pazbatueshme. “Sipas kësaj logjike i bie që ne të blejmë misër e grurë që në tetor dhe sasia të jetë për të gjithë dimrin. Po ku t’i marrim ne lektë për të blerë gjithë këtë sasi ushqimore? Ne jetojmë në varfëri të plotë dhe nuk mund të kemi mundësinë e blerjeve në sasi të mëdha. Institucionet shtetërore duhet të bëjnë një studim për këtë dhe të kuptojnë drejt realitetin tonë. Nuk duhet të na lënë të vdesim urie”, pohon Marku Kodra, një banor i Shalës.

Tashmë në shumicën e zonave bora ka kalur një metër trashësi dhe situata mund të vështirësohet akoma më shumë pasi vazhdon të bjerë borë. Më problematike janë komunat Shalë dhe Shosh, ndërkohë që zona e Kelmendit e ka gjetur zgjidhjen duke kaluar në Mal të Zi me anë të pikës kufitare të Bashkimit në Vermosh. Aktualisht e vetmja mundësi për të takuar banorët e Dukagjinit është helikopteri. Mali i Shoshit dhe Qafa e Thores, janë dy akset që lidhin zonën e Dukagjinit me Shkodrën.

Drejtues të komunës Shale dhe Shllak shpresojnë vetëm në nderhyrjen e shtabit të emergjencave civile, që ky i fundit të mundësojë dërgimin e ushqimeve dhe medikamenteve jetësore.