Pagine

February 7, 2013

Roza Xhuxha Anagnosti

Roza Xhuxha Anagnosti
Roza Xhuxha, e njohur më shumë nga publiku si Roza Anagnosti, lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër, Shqipëri, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti.
E filloi karrierën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jone” (H. Hakani, 1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, në filmin “Komisari i dritës”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i
suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mesonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë. Filmat e tjerë janë “Ndergjegja” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon nje motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, “Vrasje në gjueti” 1987, “Rikonstruksioni” 1988, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Vetmi” 1990. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Xhuxha Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekoruar znj. Roza Xhuxha Anagnosti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në artin skenik shqiptar, duke krijuar me mjeshtëri të lartë një galeri të pasur figurash dhe, veçanërisht, në kinematografi, ku afirmoi vlerat më të arrira, nëpërmjet interpretimit të veçantë dhe krijimit të figurave të paharruara dhe të dashura për publikun.”

Disa nga veprimtaritë kinematografike dhe teatrale

Gjoleka djali i Abazit(2006) – Marua
Valsi i Titanikut (1990) teater-komedi
Vetmi (1990) – Drita
Kthimi i Ushtrisë së Vdekur (1989) – Plaka Nice
Rikonstruksioni (1988) – Bashkëshortja e Emilit
Botë e padukshme (1987) – Besmira
Familja ime (1987) – Liria
Vrasje në gjueti (1987) – Neta
Gurët e shtëpisë sime (1985) – Vitua
Taulanti kërkon një motër (1984) – Luli
Besa e kuqe (1982) – Mrika
Rruga e lirisë (1982) – Dhurata
Dita e parë e emrimit (1981) – Bardha
Mësonjtorja (1979) – Dafina
Në shtëpinë tonë (1979) – Mësuesja
Fije që priten (1976) – Besa
Qyteti më i ri në botë (1974) – Edukatorja
Ndërgjegja (1972) – Arta
Plagë të vjetra (1968) – Vera
Komisari i dritës (1966) – Rudina
Toka jonë (1964) – Filja
Detyrë e posaçme (1963) – Mësuesja