Kombëtarja shqiptare ka humbur 1-2 në miqësoren e zhvilluar me Gjeorgjinë në stadiumin ‘Qemal Stafa’ sot në mbrëmje.
Pavarësisht një fillimi të mirë për tanët, dy gabime në mbrojtje në secilën pjesë rezultuan përcaktuese për fatet e takimit.
Në minutën e 25’, në një dalje të mirë nga krahu prej Agollit, golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, Erjon Bogdani, dërgoi me kokë topin në rrjetë pas një harkimi të bukur në zonë.
Në minutat në vijim, përfaqësuesja jonë kontrolloi lojën e u duk pranë një goli të dytë. Megjithatë, gjeorgjianët realizuan në rastin e parë të vërtetë që patën për shënim, nëpërmjet Vatsadzes.
Pjesa e dytë pati vend për aktivizimin e shumë futbollistëve, midis të cilëve edhe debutuesit Hysa, të riut që luan me Empolin në Serinë B, ndërsa Bulku iu afrua shumë golit dhjetë minuta përpara fundit, me një goditje dënimi, që pas devijimit në mur dhe grushtimit të portierit, u përplas në shtyllë.
Pas këtij rasti, miqtë ndëshkuar Shqipërinë pikërisht në momentin e saj më të mirë të pjesës së dytë, në një kohë kur loja ishte përqendruar në gjysmëfushën gjeorgjiane.
Për Shqipërinë, kjo është humbja e tetë në të gjitha ndeshjet, eliminatore ose zyrtare, përballë përfaqësues së ish-Republikës Sovjetike. Përballë gjeorgjianëve, në 13 takime, kuqezinjtë kanë fituar tre herë dhe barazuar në dy raste të tjera.