Pagine

February 11, 2013

Skënderbeu - Vllaznia, triumfon skuadra kuq e blu

Skënderbeu - Vllaznia
Vllaznia e re e gjunjëzon Skënderbeun dhe ringjall shpresat në Shkodër. Skuadra e rinovuar shkodrane nën “erën presidenciale”, Çela dhe nën drejtimin e Artan Bushatit ka arritur që të mundë kampionët, korçarët, skuadrën e pamposhtur nga gushti e deri më 8 shkurt. Ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme ku shkodranët kanë bërë atë që nuk pritej. Edhe pse kishin udhëtuar drejt Korçës për të marrë ndonjë pikë, janë kthyer me tre të tilla, duke treguar se skuadra e 2012-ës, është harruar dhe një “erë e re” për shkodranët ka nisur. Hajdari me një supergol në minutën e 75-të, ka bërë që korçarët e Mirel Josës të dorëzohen. Faktikisht ka qenë një ndeshje e kontrolluar çdo minutë dhe në mënyrë bindëse nga Vllaznia.
Dy shtylla, një penallti e mohuar dhe shumë raste të shpërdoruara kanë bërë që Vllaznia të dominojë ndeshjen. Mendjemadhësia e Skënderbeut ka gremisur skuadrën e Josës që dorëzohet pas 13 javësh kampionat dhe 10 muajsh në fushën e vet. Humbja e fundit ka qenë në Korçë me Teutën. Gjithsesi ajo që është parë në fushë ka treguar dy skuadra ndryshe. Një Vllazni të ndryshuar dhe një Skënderbe mendjemadh që nuk bëri dot asgjë. Tani fjalët janë të kota. Edhe pse me një ndeshje nuk vjen ndryshimi i madh, të gjithë duhet të kenë frikë Vllazninë. Sa për korçarët, një humbje e tillë duhet të bëhet mësim, në të kundërt kampionati është më i hapur se kurrë. Kundërshtarët janë tek dera duke fërkuar duart.

Veç ndeshjes së djeshme në fushë sot zbresin edhe dy ekipe të tjera. Është sfida mes Besës dhe Laçit. Kavajasit luajnë për mbijetesë dhe kurbinasit për Europën. Besa dhe Laçi luajnë në fushën asnjanëse të Peqinit, ngaqë stadiumi kavajas është i dënuar nga Disiplina. Ky faktor shkon disi në favor të bardhezinjve të Nicës, që kanë pozita të konsoliduara edhe në kampionat, ashtu sikurse vijojnë të shpresojnë te kualifikimi në gjysmëfinalen e kupës. Megjithatë, nevojat e verdhezinjve për pikë janë jetike, kështu që faza e dytë duhet shfrytëzuar për të marrë sa më shumë të tilla mbijetese edhe në transferta, jo më në ato të konsideruara si në shtëpi. Gjithsesi të shohim se çfarë do të tregojë fusha e lojës. Për momentin laçianët janë më të favorizuar.

Pikërisht në Vlorë në një situatë jo të qetë Flamurtari pret të dielën Bylisin “macen e zezë” të vlonjatëve. Skuadra e Gjokës duhet të fitojë nëse kërkon Europën. Këtë e pranon edhe vetë trajneri i vlonjatëve. “Më vjen mirë që skuadra nuk jetoi gjatë me atë humbje të pësuar, për të cilën të gjithë si skuadër jemi ndërgjegjësuar shpejt se jemi ndëshkuar nga një gol i shënuar nga një pozicion i dyshimtë. Në prag të ndeshjes me Bylisin morali është mirë dhe më bën të besojë se sot do të luajmë për të marrë tre pikë të plota. Një gjë duhet marrë mirë parasysh se sot nuk është ajo skuadër e asaj ndeshje. Në testet e zhvilluara deri tani kemi treguar se ndryshimet pozitive në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik janë rritur ndaj jemi optimist për të fituar. Një fitore nesër do thotë tre pikë me shumë vlerë, që ndryshe përkthehen dhe rritje në klasifikim duke lënë prapa vendin e shtatë në renditje. Flamurtari ka objektiva për të realizuar në ndeshjet e fazës dytë të kampionatit ndaj do t’i marrim ato me radhë duke synuar të marrim maksimumin e tyre për siguruar një vend që do të na jepte të drejtë për të siguruar një biletë për Europa-League”, është shprehur Gjoka. Ndërkaq nga Ballshi që pretendon Europën, kanë ardhur sinjale që sërish pas dy muajsh, skuadra fqinje do të fitojë në Vlorë siç bëri në fillim të dhjetorit në ndeshjen e Kupës.

Të dielën luhen gjithashtu edhe katër ndeshjet e tjera më së shumti sfida për Europën dhe qëndrimin në Superiore, duke filluar nga Tirana-Tomori, Luftëtari-Kukësi, Teuta-Shkumbini e Kastrioti-Apolonia.

Lamtumirë Fredi

Dje në mëngjes ish-futbollisti mbylli sytë pas disa kohësh lëngim në spital këtu në Tiranë

Është ndarë nga jeta mëngjes ish-futbollisti i Flamurtarit dhe anëtari i komitetit ekzekutiv të FSHF-së, Alfred Ziaji. Dje në mëngjes ish-futbollisti mbylli sytë pas disa kohësh lëngim në spital këtu në Tiranë. Pas vuajtjeve të gjata dhe problemeve në mëlçi. Edhe pse ishte ishte pak më shumë se 52 vjeç Ziaji la pas një karrierë të shkëlqyer sportive si sportist dhe drejtues. Emri i Alfred Zijait është i shkruar prej vitesh në librin e artë të futbollit shqiptar. Vlonjati është një nga njerëzit më të njohur në qytetin e tij dhe jo vetëm për futbollin. Lindur më 7 shkurt të 19961-it ai ka luajtur futboll. Karriera e tij sportive ka nisur që prej vitit 1979 e deri në vitin 1991. Në fund të karrierës është shpallur edhe kampion me Flamurtarin. Ka qenë me të vërtetë një brez i artë, ai i Zijait. Ai ka qenë pjesë e Flamurtarit, që ka arritur të futet në turin e tretë të një kompeticioni ndërkombëtar të organizuar nga UEFA. Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, nën drejtimin e trajnerit Leonidha Çuri, eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë dhe humbi 2-1 në Beograd. Në turin e dytë eliminoi gjermanolindorët e Vismute Aue: humbi 1-0 në Gjermani dhe fitoi 2-0 dhe Vlorë. Në turin e tretë, u eliminua nga Barcelona: humbi 4-1 në “Kamp Nou”, fitoi 1-0 në Vlorë. Gjithsesi, Flamurtari është ndeshur katër herë me Barcelonën, madje në edicionin 1986-1987, u eliminua vetëm se Barcelona shënoi në fushën kundërshtare, pra ën barazimin 1-1 në Vlorë, pasi takimi në “Kamp Nou” përfundoi pa gola, pra 0-0. Ish-mesfushori i talentuar i Flamurtarit ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Pikërisht ato kundër Austrisë, në humbjen 3-0, më 15 tetor 1986, në Grac të Austrisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian, në Shqipëri-Rumani 0-1, më 28 tetor 1987, por për eliminatoret e Kampionatit Europian, kur zëvendësoi Sulejman Demollarin në të 46’ dhe ajo me Spanjën, e humbur 5-0 në Sevilje, kur zëvendësoi Artur Lekbellon në minutën e 80-të. Zijai gjithashtu do të mbahet mend si një nga ndërtuesit e degës së parë të Partisë Demokratike në Vlorë. Pas viteve 2000 ai formoi vetë shoqatën e minifutbollit dhe futbollit të sallës ndërsa prej vitit 2009 ai është anëtar i komitetit ekzekutiv të FSHF-së. Në kujtim të Alfred Ziajit Federata Shqiptare e Futbollit dhe e gjithë bota e futbollit shqiptar është përfshirë në heshtjen e zisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit futbollistit, mikut, shokut dhe drejtuesit të njohur. Homazhet do të mbahen sot në stadiumin “Flamurtari”, ndërkohë që në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje në respekt të tij.

“Plisat” kundër FSHF-së

Tifozët kosovarë “Plisat” nuk janë të kënaqur me drejtuesit e futbollit në Shqipëri. Sipas tyre FSHF në ndeshjen e Kombëtares kundër Gjeorgjisë tentoi që tifozëve në stadium t’u ndalojë thirrjet ‘Shqipëri etnike’. “Kjo gjë që është jashtë logjikës së shëndosh të secilit shqiptar. Po ashtu, në ndeshjen e Kombëtares në Laç kundër Maqedonisë U-21, ai nuk lejoi që në stadium të ketë asnjë flamur kombëtar dhe as parulla për Kombëtaren”, thuhet në reagimin e ‘Plisave’ nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale.

Artan Bushati: Na neglizhuan

“I lumtur me barazimin nëse në fund do të kishim marrë një rezultat të tillë. Por fitorja është më mirë. Them se ishte një neglizhim dhe mos vlerësim nga ana e Skënderbeut. Ishte një fitore e merituar. Një fitore që na hap rrugë të reja që Vllaznia të rritet dhe të shkojë atje ku duhet. I lumtur që debutojmë me fitore si unë dhe presidenti Çela. Tani na presin ndeshje të vështira, duke filluar që nga takimi me Kukësin. Qëllimi ynë është Europa”.

Mirel Josa: Ishim të papërqëndruar

“Shpërdoruam raste të pastra me Pejiçin, por loja nuk ishte ajo që ne prisnim. Vllaznia na bllokoi krahët dhe nuk kishim se ç’të bënim. Sulmuesit duhet të lëviznin më shumë. Vllaznia priti që ne të gabonim në mesfushë dhe kontrolloi gjithçka. Ata qarkulluan topin dhe kundërsulmonin përpara. Nuk ishim të përqëndruar dhe mendjemëdhenj. Humbja do të vinte një ditë”.