Facebook feston sot nëntë vjetorin e krijimit të tij. Rrjeti social u themelua më 4 shkurt të vitit 2004, nga Mark Zuckenberg në Universitetin e Harward-it.
Në fillimet e tij, rrjeti social Facebook u krijua për një përdorim të brendshëm të studentëve të Harward-it, të cilët nëpërmjet tij mund të komunikonin dhe të shkëmbenin informacione të ndryshme.
Më vonë, Facebook-ut, iu shtuan dhe studentë të tjerë jashtë universitetit dhe gradualisht përdoruesit e tij u rritën ndjeshëm. Në ditët e sotme Facebook është faqja online më e klikuar në botë.
Aktualisht Facebook përdoret nga mbi 1 miliard përdorues aktivë në të gjithë botën dhe paraqitet si një burim i pafund i të dhënave. Ai tashmë i vjen në ndihmë dhe botës mediatike, pasi përmes tij mund të përcillen më shpejt të gjitha ngjarjet si brenda dhe jashtë vendit.
Kohët e fundit Facebook është bërë një element i rëndësishëm i politikës, pasi liderë të njohur politikë në mbarë botën, shfrytëzojnë popullaritetin e këtij rrjeti social për të komunikuar me zgjedhësit e tyre.