Pagine

February 8, 2013

News/Ura e Bunës, grabitësit dëmtojnë mekanizmin e hapjes

Shkodra, Ura e Bunës, Shkoder
Grabitësit e kabllove elektrike dëmtojnë mekanizmin e hapjes së urës së re të Bunës. Pak ditë më parë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur rreth 50 metra linear kabllo, si dhe kanë sjellë dëme të mëdha në funksionet e pajisjeve komanduese të ndriçimit të urës, por edhe të mekanizmit hapës të saj. Për drejtuesit e Ndërmarrjes së Rrugëve Rajonale, të cilët kanë në varësi këtë urë, po shikohet mundësia e vendosjes së një sistemi sigurie me kamera ose me roje private për të mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ka një rëndësi strategjike jo vetëm për Shkodrën, por edhe për vendin tonë. Nëpërmjet saj vendi ynë lidhet në rrugën më të shkurtër tokësore me vendet e Europës.
Pak ditë më parë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur rreth 50 metra linear kabllo, duke lënë urën në errësirë të plotë. Për të vjedhur kabllon, grabitësit fillimisht kanë dëmtuar kasetën e panelit komandues të sistemit elektrik, duke i shkaktuar atij jo vetëm dëme fizike në pajisje elektrike, por edhe dëme funksionale. Për pasojë është ndërprerë ndriçimi në këtë urë, por ajo çka e bën më të ndjeshëm dëmin është se ka dalë jashtë funksioni edhe mekanizmi komandues i sistemit hapës dhe mbyllës. Ishte ky sistem që e bënte të veçantë këtë urë jo vetëm për vendin tonë, por edhe në rajon. Nesti Kiri, drejtori i Rrugëve Rajonale për zonën e veriut, ndërmarrje kjo që ka në varësi edhe një objekt të tillë strategjik, ka pohuar se “me të marrë informacion mbi këtë dëmtim, fillimisht ndërmarrja jonë ka ndërhyrë duke bërë të mundur zëvendësimin e kabllos së vjedhur e, për pasojë, tashmë ndriçimi është normalizuar. Por problem mbetet zëvendësimi i pjesëve të dëmtuara në panelin komandues elektrik të mekanizmit hapës e mbyllës të urës së Bunës”. Ndërkohë që Kiri ka pohuar se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, për të mbikëqyrur këtë objekt të rëndësisë së veçantë, po shqyrtohen dy alternativa: ajo e mbikëqyrjes me kamera sigurie, ndërsa e dyta është ajo e ruajtjes me roje private të urës. Në të njëjtën kohë Kiri nuk ka harruar t’u bëjë apel organeve përkatëse që të punojnë për gjetjen e autorëve të dëmtimit dhe grabitjes së kabllos elektrike dhe dërgimin e autorëve përpara organeve të Drejtësisë.

Të dhënat për urën 2-vjeçare.

Ura e re mbi lumin Buna në hyrje të qytetit të Shkodrës u ndërtua në vitin 2011 me fondin prej 7.2 milionë dollarësh, akorduar nga qeveria shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim. Kjo urë është pjesë e segmentit që të çon në pikën kufitare të Muriqanit, nga ku Shqipëria lidhet me Malin e Zi dhe më tej me vendet e Europës Qendrore dhe më gjerë në rrugë automobilistike. Ura është e gjatë 275.5 metra, ku platforma lëvizëse është 75 metra, ndërkohë që gjerësia e urës është 13.5 m, ku përfshihen dy korsi lëvizjeje për automjete, si dhe dy trotuare anësore më gjerësi 2 metra secili. Ura e re mbi lumin Buna, nisur nga fakti që ky është lumi i vetëm në Shqipëri që është i lundrueshëm, është parashikuar që kjo urë të jetë e hapur, duke siguruar kalimin e mjeteve lundruese të vogla turistike nën këmbët e saj.

Urës së vjetër po i hiqen pjesët.

Që nga momenti kur ka dalë jashtë funksioni për mjetet, pre e grabitësve të skrapit ka rënë dhe ura e vjetër e Bunës. Persona të papërgjegjshëm shkulin pjesët metalike të saj, duke e bërë të rrezikshme për kalimtarët e shumtë ose ata që lëvizin me biçikletë në të. Banorët vetë kanë kërkuar ndihmën e policisë për të shmangur këtë mësymje, pasi jo vetëm është urë shërbimi për ta, në rastet kur nuk kanë makinë, por është dhe objekt turistik.